English

Berisha: Në mandatin e dytë, barazim të pensioneve të fshatit dhe qytetit

Tiranë, 16 prill NOA - Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e nisjes së punimeve për rrugën Farkë- Baldushk, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 500 milionë lekë. Ky segment rrugor ka një gjatësi prej 14 kilometra.

Me këtë rrugë, tha Kryeministri i jepet një lidhje e re shumë e fuqishme dhe shumë e rëndësishme Tiranës me Shqipërinë juglindore dhe Shqipërinë Jugore, ndërkohë që kjo rrugë do të jetë një nga segmentet më të fuqishme të boshtit të jugut.

Berisha siguroi se pas këtij segmenti rrugor, do të fillojë ndërtimi i rrugës Baldushk- Papër dhe në këtë mënyrë kompletohet një aks i ri rrugor midis Tiranës dhe Elbasanit.

Duke u ndalur në investimet në këtë zonë të Tiranës, Kryeministri u shpreh se në komunën e Baldushkut, në 3 vjet janë investuar 750 milionë lekë, ndërkohë që në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme janë investuar gjithsej 12 milionë lekë.

Kreu i qeverisë tha se së bashku duhet të vijojmë rrugën e nisur të ndryshimit rrënjësor të Shqipërisë.

"Ne duhet të vazhdojmë të kujdesemi për interesat tona. Interesat tona janë rrugët e shtruara, janë prodhimet tona në treg, janë fëmijët tanë të shkolluar në shkolla moderne, janë sistemet e vaditjes për fermerët tanë, uji i pijshëm, etj. Unë ju garantoj se do të punojmë së bashku për t'i plotësuar të gjitha këto interesa", - tha Kryeministri. Â

Berisha u ndal në premtimin e mbajtur të qeverisë për dyfishimin e pensioneve në fshat, duke siguruar se ky është vetëm hapi i parë, pasi hapi i dytë i madh do të jetë barazimi i pensioneve të fshatit me pensionet në qytet.

Kryeministri ftoi edhe një herë qytetarët të pajisen me kartat e identitetit. "Dua të bëj një kërkesë miqësore për të gjithë ju, për të gjithë ata që na dëgjojnë; të marrin letërnjoftimet e reja, sepse e meritojmë të kemi një dokument të njëjtë me atë që kanë qytetarët e Gjermanisë, Francës dhe vendeve më të zhvilluara. Duhet të marrim Kartat e Identitetit sepse në këto zgjedhje duhet t'i faktojmë njëri-tjetrit, duhet t'i faktojmë Evropës dhe botës, NATO-s që na dha një besim kaq të madh, se ne do të votojmë si qytetarë të lirë, me dinjitet të plotë", vijoi Kryeministri.

e.l/NOA

KOMENTE