Tiranë, 16 Prill NOA - Në këtë hapësirë gjendet pasqyra e përditshme e gazetave në Tiranë, për ditën e Enjte, 16 Prill 2009, si dhe një analizë dhe përmbledhje e kryetitujve kryesorë të gazetave. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip dhe anglisht.
Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t'u abonuar në këtë shërbim dhe për t'u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e e-mail: info@noa.al
Â
Gazeta "Shekulli" dhe në numrin e sotëm ka në fokus kryesor "Gërdecin" dhe hapet me titullin "Mediu favorizoi Balliun në Gërdec". E përditshmja citon prokurorinë të ketë deklaruar se ushtarakë dhe drejtues të ministrisë, mbajnë përgjegjësi për Balliun e Delijorgjin.
Një tjetër titull kryesor është "Fushata, qeveria jep paga për bashkësitë fetare".
Shkarkimi i kreut të Doganave ka zënë një vend kryesor në faqen e parë të "Shekullit".
Po ashtu publikohen dhe të dhënat e një tjetër sondazhi që nxjerr fituese PS-në në zgjedhjet e ardhshme, me 45 për qind të votave të pritshme.
Â
E përditshmja "Panorama" çelet me një titull që ka interes për kategorinë e ish-ushtarakëve. Ajo nën titullin "Drafti i qeverisë, ligj i ri për pensionet e ish-ushtarakëve", boton të dhëna për nismën qeveritare që pritet të shkojë dhe në Kuvend. Sipas të përditshmes, përfshihen edhe SHISH, zjarrfikësit, Garda, SHKB dhe Burgjet.
Titull tjetër kryesor, është ai i shkarkimit të Dervishit duke u evidentuar "rezultatet e dobëta" që gazeta thotë se çuan "Berishën në vendimin për të shkarkuar drejtorin e përgjithshëm të Doganave".
Nga Artan Fuga, lexohet opinioni "Sondim".
Â
"Gazeta Shqiptare" ka si argument kryesor të faqes së parë "Fushata, Topalli blen 12 fuoristrada". Sipas të përditshmes, Kuvendi ka blerë me prokurim të drejtpërdrejtë makina për stafin ndihmës kurse është rritur kuota e konsumit të karburantit.
Kjo gazetë publikon dhe lajmin për shkarkimin e kreut të Doganave që thekson se u bë "dy muaj para zgjedhjeve".
Akti normativ për të ulur taksat, konsiderohet nga e përditshmja si "Sfidë e Berishës ndaj bashkive".
E përditshmja i jep hapësirë axhendës së djeshme të Edi Ramës në Lazarat ku citohet të ketë folur për pensionet dhe në pohimin se "Kryeministri është i paqartë për kartat e identitetit".
Â
E përditshmja "Koha Jonë" hapet me titullin "Shkarkohet kreu i Doganave". Gazeta evidenton motivacionin zyrtar që largoi Përparim Dervishin, "punë e dobët, me pasojë mungesën e të ardhurave në buxhetin e shtetit". Sipas gazetës, në këtë detyrë, është komanduar zëvendësi i tij, Rifat Gjoni".
Në qendër të së përditshmes është dhe lajmi për vendimin e djeshëm të qeverisë që stimulon financiarisht religjionet. "Qeveria, 113 milionë lekë për komunitetet fetare", është titulli që ekspozon në foto drejtuesit e katër feve kryesore në vend.
Një investigim i CIA-s evidenton se në vendin tonë, "Të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë gjashtë mijë USD në vit".
Një tjetër shkrim është ai për abuzimet që kanë çuar dje në vendimin për të mbyllur farmacitë private që gjenden në spitalet shtetërore.
Â
Gazeta "Shqip" ka si kryetitull "Basha, beteja e fundit". Sipas gazetës, Gjykata e Lartë është shprehur për "Durrës-Kukës" se do të ketë "një seancë për ministrin duke aluduar për datën 29 prill të këtij viti.
Hedhja në gjyq e ish-kryetarit të bashkisë së Lushnjës, është argumenti i dytë kryesor i "Shqip".
Në komentet e "Shqip" veçohen ai nga Ylli Manjani "Kur drejtësinë e dikton kryeministri" dhe "Arsyet pse Ina Rama duhet të largohet", nga Mentor Kikia.
Â
"Korrieri", hapet me titullin "Edi Rama, tre premtime për pensionet", duke evidentuar dhe "kategoritë që përfitojnë".
Në të vërtetë, pas shpalljes së shtatë shtyllave të programit qeverisës të së majtës së drejtuar nga Edi Rama, ky i fundit ka nisur praktikisht fushatën e premtimeve, fillimisht në zona të largëta dhe periferiale të vendit.
E përditshmja "Korrieri" publikon dhe një raport të SHBA që sipas gazetës i vë qeverisë, "notë mbetëse për korrupsionin dhe arsimin".
Â
Gazeta "Standard" në titull kryesor ka vënë biznesin e vogël duke vlerësuar se "taksa ulet deri në 20 për qind".
Më tej ka një deklaratë të ambasadorit gjerman që thotë se "liberalizimi i vizave do të bëhet pas marrjes së dokumenteve të reja të identitetit".
"Standard", publikon dhe një tjetër lajm kryesor, atë të shkarkimit të Dervishit dhe "spekulon" me emrat që e përditshmja thotë se do të mund ta zëvendësojnë.
Â
E përditshmja "Libertas" hapet me titullin "Berisha, 35 helikopterë nga Sarkozi". Sipas gazetës mjetet fluturuese blihen nga "Euroccopter", për mbështetje nga BE. Sipas të përditshmes, refuzohet amerikania "Sikorsky".
Komenti "Progresi si regres" nga Kleo Lati, pason edhe analizën nga Kerin Hope, "Turizmi grek, shpresa te piku i sezonit".
Kjo gazetë publikon edhe intervistën me Gëzim Boçarin që citohet në deklaratën se "Qeveria nuk po zbaton as vendimet e Strasburgut".
Â
E përditshmja "TemA" ka në qendër të faqes së parë sondazhin e kompanisë italiane: dhe duke cituar të dhënat e tij hapet me titullin "E majta, fituese e zgjedhjeve".
Sipas gazetës, "IPR Marketing, një kompani lider në Itali në këtë fushë, në bashkëpunim me televizionin Ora News ka publikuar dje të dhënat e sondazhit të parë mes tyre". E përditshmja detajon se "të pyetur se kush fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare, 40% mendojnë se ato do fitohen nga PS, 33% nga PD, 3% nga LSI, 6% shprehen për parti të tjera, ndërsa 18% nuk japin mendim për këtë çështje".
Â
Gazeta "Albania" hapet me një titull që kufizohet te moshat e thyera: "Pensionet, sa do të jetë masa e përfitimit për 800 mijë familje".
Një tjetër titull informativ-komercial është "Hipoteka, procedurat e reja që ndiqen kur dhurohet toka ose ndërtesa".
e.l/NOA