Tiranë, 16 Prill NOA - Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, ka njoftuar në Policinë e Tiranës, për zhvillimin e Kremtimit të Pashkëve 2009, në datat 17, 18 dhe 19 Prill 2009.
Ceremonitë e përvitshme fetare do të kryhen në Kishën Ortodokse Autoqefale dhe në Selinë Zyrtare të Kryepiskopatës në rrugën e Kavajës në Tiranë.
Nesër, më 17 Prill, do të kryhet ceremonia e nxjerrjes jashtë të "Epitafit të Shenjtë" nga Kisha me itinerar të caktuar përgjatë rrugës së Kavajës me drejtim për nga qendra e qytetit, më pas kthim poshtë tek "Kryqëzimi i 21 Dhjetorit" dhe kthim në Kishë, me interval kohor, fillimi nga ora 19.30 dhe mbarimi ora në orën 21.30 në ambientet e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjithashtu, ditën e shtunë më 18 Prill nga ora 23.00 deri në orën 01.00 të ditës së dielë, datë 19 prill, do të fillojnë kremtimet edhe të ceremonisë solemne, që do të zhvillohen jashtë Kishës. Kurse ditën e diel më datë 19 Prill 2009, me rastin e festës së Pashkëve, do të organizohet një pritje e gjerë zyrtare, ndaj do të ketë edhe disa kufizime të qarkullimit. Sa më sipër, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në rrugën e Kavajës nga "21 Dhjetori" deri tek Kryqëzimi i Bankës së Shqipërisë, sipas këtyre intervaleve kohore: Më datë 17 Prill 2009 do të ndalohet qarkullimi i automjeteve nga ora 19.00' deri më 22.00 Më datë 18 Prill 2009 do të ndalohet qarkullimi i automjeteve nga ora 23.00' deri më 01.00 të ditës së nesërme. Po ashtu do të ketë kufizime të lëvizjes së automjeteve me datë 19 Prill 2009, nga ora 10.00 deri më 14.00. Strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë thanë sot se do të marrin masa për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike, për garantimin e zhvillimit normal të këtyre aktiviteteve fetare.
e.l/NOA