Tiranë, 16 Prill NOA - Shtrëngimi i kushteve financiare në ekonomi, pamjaftueshmëria e burimeve të brendshme dhe problemet e tregut financiar ndërkombëtar, e bëjnë të nevojshme gjetjen e burimeve të huaja të financimit.
Për këtë qëllim, duhet vlerësuar çdo opsion i mundshëm, përfshirë dhe programet e mbështetjes nga institucionet ndërkombëtare të specializuara.
Këto pohime bëri sot, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani në raportimin që bëri para deputetëve të Kuvendit.
Ai tha se "Shqipëria duhet të përfitojë medoemos nga fondi ndërkombëtar i krijuar nga mbledhja e njëzet vendeve më të zhvilluara, pasi ajo plotëson të gjitha kushtet".
Ndërkohë, Fullani duke vlerësuar kompleksitetin e sfidave me të cilat do të përballemi në vazhdim, konsideroi si themelor "rishikimin e të gjitha politikave aktuale makroekonomike dhe financiare me qëllim përshtatjen e tyre me kushtet e reja".
Guvernatori tha edhe se duhen krijuar mekanizma të qartë për koordinimin e politikave makroekonomike dhe programeve të zhvillimit të vendit.
"Banka e Shqipërisë gjykon se një hap në drejtimin e duhur do të ishte adoptimi i një rregulli fiskal sasior transparent, i cili do të shërbente si një kushtëzues i politikave fiskale në horizontin afatmesëm dhe afatgjatë", - deklaroi Fullani.
e.l/NOA