English

"Hakërrim"

Për agjencinë e lajmeve NOA

Nga Sejdi Veseli

Â

Është dita e katërt që kurë një masë e veteranëve të luftës së armatosur çlirimtare ish-pjesëtarë të Famëmadhes Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të dëshmuar në vepër se ishin dhe me siguri mbeten të gatshëm që në këmbim të çlirimit dhe ribashkimit kombëtar të sakrifikojnë çka do të kërkohet prej tyre, në gjakim të drejtave të elementare, nuk u mbeti derë tjetër pos të futen në grevë.

Kërkesa e tyre është sa e drejt po aq e qartë: miratimi me procedurë të shpejtë i Ligjit për Vlerat e Luftës dhe fillimi i zbatimit të tij në afatin optimal, ndërsa për qëndruar deri në përmbushjen e kësaj kërkese të tyre të drejtë zgjodhën lokacionin përballë Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Në përzgjedhjen e këtij lokacioni për mbajtjen e grevës, kishte pas ndikuar edhe një çikë shpresë, se mos helbete po zgjonin ndërgjegjen e ish-bashkëluftëtarëve të tyre,  të cilët thonë se i drejtojnë këto institucione, "në përputhje" me interesat e popullit. Por, u bindën shpejt dhe përfundimisht, se është shumë vështirë të zgjohet ndërgjegjja tek ata që nuk e kanë; tek ata që kjo mangësi është bërë dukuri e zakonshme, sidomos tek ai soj që është dalldisur nga etja për pasurim të shpejtë dhe në kurriz të djersës së popullit.  Thënë shkurt dhe shqip, janë shndërruar në ushunjëza që vazhdojnë të fryhen (deri sa të pëlcasin) me gjakun e popullit, e që poeti jonë Ali Asllani, do t'ua dedikonte serish këto vargje: "... Ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar në errësira!... ... ...Të pabrek ju gjeti dreka, milioner ju gjeti darka!..."

Për të gjithë ata të cilët e duan pa hile vendin e tyre dhe e kuptojnë drejt rëndësinë e rikthimit të sovranitetit të popullit, lufta e armatosur çlirimtare radhitet në kulmin e vlerave kombëtare. Pa dyshim, e tillë ishte edhe lufta që bënë edhe veteranët grevistë. Këtë e dëshmon vetë synimi i kësaj lufte, Â i sanksionuar në tekstin e Betimit, që ishte çlirimi i më shumë se i gjysmës së Shqipërisë e cila rënkonte nën okupim nga pushtuesit barbar serbo-sllav dhe krijimi i kushteve optimale që populli të vetëpërcaktohet dhe të vetëvendosë lirshëm për të ardhmen e tij. Kështu kërkohej në tekstin e Betimit të tyre para Flamurit Kombëtar.

Si ish-pjesëtarë i UÇK-së as që kam mundur ta paramendojë, se pa u mbushur as dhjetë vjet të plota nga përfundimi i luftës sonë kundër forcave të pushtuesve, një pjesë jo e vogël jona do të nëpërkëmbemi aq pamëshirshëm edhe nga do klane, tani më të identifikuara, të ish-bashkëluftëtarëve tanë. Kjo nëpërkëmbje për çdo ditë më e ashpër na imponon që për sigurimin e të drejtave tona legjitime-ekzistenciale të hidhemi në grevë dhe veprime tjera të domosdoshme.

Jetojmë në realitet të hidhur, jo më pak se 70% e popullit të Republikës së Ahtisarisë, jetojnë në varfëri të plotë, ndërsa 30% e tyre në atë ekstreme. Pra, më shumë së gjysma e popullsisë të këtij "shteti" janë lënë pa mundësinë elementare për të siguruar jetën me djersën e vetë, çka është edhe më keq, është lënë pa përkujdesjen minimale institucionale (në këtë 70% bëjnë pjesë më shumë se gjysma e ish-luftëtarëve të UÇK-së). Për cilido shtet, qoftë ai edhe Republika e Ahtisarisë, një realitet i tillë ngërthen në vete shumë rreziqe. Mund të thuhet lirisht, se njëri prej këtyre rreziqeve për nga serioziteti mund të quhet ndryshe edhe bombë e fuqishme sociale e cila mund të aktivizohet lehtë dhe në çdo moment, ndërsa pasojat e një shpërthimi tillë janë të paparashikueshme për të ardhmen e shumë brezave.

Ditën e dytë të grevës, më 14 prill 2009, u mbajt konferenca e përbashkët për mjetet e komunikimit masiv e OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së, me këtë rast nga drejtuesit e këtyre tri subjekteve të dala nga lufta e armatosur çlirimtare u shprehen qëndrimet në lidhje me grevën e "disa personave pranë qeverisë së Kosovës..."dhe iu bë thirrje e përgjithshme "... veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve që të mos bien pre e manipulimeve të të ashtuquajturit KMDL, pasi që i njëjti nuk e përfaqëson askend përveç vetvetes..."

Përjashtuar fjalorin e ashpër, "autoritar" dhe kualifikimet përbuzëse, më duket çdo gjë në rregull. Zaten e kanë pasur për obligim të shprehin opinionin e subjekteve që drejtojnë në lidhje me këtë grevë. Kjo me shtyri që të bëjë krahasimin e përmbajtjes së kësaj konference me letrën e OVL të UÇK-së, që i është adresuar ish-pjesëtarëve të pushtuesit serbo-çetnik dhe jo vetëm si ish-pjesëtar i UÇK-së, por si qytetar i kësaj pjese të Shqipërisë, u ndjeva shumë i shqetësuar.

Pse?

Ja se pse.

Jo vetëm se nuk pajtohem kurrë me një veprim të tillë dhe as me përmbajtjen e kësaj letre, por mjaftoi për të me shqetësuar fjalori i përdorur në letrën dërguar atyre që vranë, prenë, grinë, dogjën me mija shqiptarë të paarmatosur-civil, atyre që përdhunuan me mijëra femra shqiptare (në mesin e tyre të mitura dhe plaka)....i cili ishte shumë më afrues se deklaratat ndaj ish-bashkëluftëtarëve, të cilët konsumojnë të drejtën demokratike për të kërkuar të drejtat që u takojnë. Serbo-çetnikëve u drejtoheshin me "Të nderuar kolegë", ndërsa ish-bashkëluftëtarëve "do persona...". Çka më duket edhe më keq, kush ua dha atë të drejtë që dhunuesit, kriminelët... dhe bërllokun serbo-çetnik t'i quajnë "kolegë", me siguri nuk ka pasë kush ua thotë, se nëse e quani qenin kolegë barazoheni me te (!)

(" shkupi (usa): 29.03.09 në ora:06:18 nuk kam deshire te vazhdoj ta lexoj letren me tutje por nuk me pelqeu aspak se si OVL-UCK ju ka drejtuar vrasesve serb me kete fjale> TE NDERUAR KOLEGE???? prej nga ne ish ushtaret e UCK -se u benem KOLEGE te vrasesve te femijeve dhe civileve , une mendoj se ky ehte nje gabim i madh qe e ka bere kryesija e OVL-UCK -se -" Â Njëri prej komenteve të shumta në lidhje me këtë letër i botuar në gazeta Express)

Në këtë konferencë për mjetet e komunikimit masiv, ngjashëm me stilin e diferencimeve të dikurshme, u akuzuan grevistët, se gjoja qenkan të manipuluar nga një parti politike, por nuk e thotë cila; "...se në grevë nuk ka familjarë të Dëshmorëve dhe se nuk janë të vërteta thëniet e disa grevistëve se fëmijët e dëshmorëve janë në gjendje shumë të rëndë..."; se familjarët e Dëshmorëve po gëzuakan shumë "benificione", etj., etj. Në përpjekjet për zhvlerësimin e kërkesave të grevistëve, u tha "se invalidët e luftës marrin pensionet dhe gëzojnë disa benificione, me tendencë që të rriten, pasi që Kuvendi të amandamentoj ligjin dhe kur i njëjti fillon të zbatohet." (Pjesa e nënvizuar e citatit, shpjegon shumëçka!)

Nga deklaratat fyese dhe përbuzëse të këtyre "zotërinjve", të cilët është dashtë t'i kishin kryer detyrat e tyre me përkushtim (për çka edhe paguhen), për të gjetur zgjidhje institucionale për këto probleme, të cila sollën deri te kjo grevë, lakuriqësohet një e realitet i hidhur për ne, se në krye do punëve jo pak të rëndësishme janë të instaluar një soj "patriotësh", të bërë synet nga ndërgjegjja dhe ndjenjat e përgjegjësisë.

Të vinë punët deri aty, sa të detyrohen të hidhen në grevë edhe ata që luftuan për çlirimin dhe ribashkimin e trojeve shqiptare, nuk do të skuqen nga turpi vetëm zyrtarët shpirtkazmë, të cilëve u është bërë fytyra si sholla e këpucëve!

Prishtinë më 16 prill 2009

Shënim: Opinionet e publikuara në këtë rubrikë nuk prezantojnë detyrimisht, qëndrimin redaksional të Agjencisë NOA

Â

KOMENTE