English

Ishin të dehur, qëlluan me pistoletë orkestrën e lokalit

Durrës, 16 prill, NOA - Në gjendje të dehur, dy persona kanë nxjerrë pistoletën dhe duke kërcënuar me armë rojen e një lokali, janë futur brenda tij duke shtënë me armë dhe terrorizuar gjithë klientët.

Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në qytetin e Durrësit, ku hareja dhe harmonia e lokalit "Buzuku kokongo" është prishur nga krismat e psitoletës së dy personave të dehur të cilët hynë forcërisht në mjediset e tij.

Lajmi bëhet i ditur për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Durrësit, të cilët kanë mundur të ndalojnë dhe më pas të identifikojnë dy autorët e ngjarjes.

Ata janë 37-vjeçari Skënder Laci dhe bashkëmoshatari i tij, Florian Luca, që të dy banorë të qytetit të Durrësit.

Arrestimi i tyre u bë pasi duke qenë në gjendje të dehur ata kanë dashur të hyjnë në lokalin "Buzuku Kokongo" në pronësi të Fundim Dedjas, por nuk janë lejuar nga punonjësi i shërbimit dhe kanë debatuar ashpër me të.

Më pas, Skënder Laci ka nxjerrë një arme pistoletë tip "Zaztava" së bashku me shokun e tij dhe kanë hyrë me forcë në ambjentet e brendshme të lokalit ku Skënderi ka qëlluar në drejtim të banakut dhe pjesëtarëve të orkestrës.

Për fat të mirë, ata janë mbrojtur nga të shtënat e të dehurve dhe nuk ka pasur asnjë të dëmtuar.

Menjëherë sapo është bërë njoftimi për ngjarjen ndaj forcave të policisë, ato kanë mbërritur duke vënë nën pranga dy autorët e ngjarjes, të cilet nuk arritën të largoheshin dot nga vendngjarja.

n.e/NOA

KOMENTE