English

Koment - Arsyet pse Ina Rama duhet të largohet

Nga Mentor Kikia

Një zyrtar i lartë i sigurisë britanike paraqiti, pak ditë më parë, dorëheqjen, sepse, si pasojë e shkujdesjes, kishte ekspozuar kopertinën e një dosjeje hetimore që mbante në dorë, dhe aparatet e fotoreporterëve fotografuan nja dy paragrafë që flisnin për një operacion sekret kundër terrorizmit. Askush nuk tha me siguri se sa e dëmtuan operacionin aty dy fraza që fotografuan gazetarët, por zyrtari britanik dha dorëheqjen menjëherë dhe në mënyrë të parevokueshme. Ky lajm mbërriti nga Londra në të njëjtën ditë kur gazetarët shqiptarë vërshuan në "Hotel Tirana", sepse atje ishte Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë, zonja Ina Rama.

Në fakt, ajo ishte atje në një mbledhje pa interes mediatik, por gazetarët do ta pyesnin lidhur më një çështje të publikuar një natë më parë, në "Top Channel". Një prej kompanive, që është edhe në pronësi të të akuzuarit për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji, nuk ishte sekuestruar. Të gjithë donin të dinin se përse "Trans Digging Construksion" nuk ishte vënë nën sekuestro nga prokuroria. "Ne po e hetojmë këtë fakt - tha zonja Rama. Do të hetojmë se përse dhe kush e ka fshehur ekzistencën e saj. Do të bëhen verifikime edhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit". Pas kësaj deklarate, mediat në kor dhanë lajmin se Prokuroria e Përgjithshme do të hetojë skandalin e ri, pra se kush e kishte lënë jashtë sekuestros firmën në pronësi të Delijorgjit dhe ca miqve të tjerë të ngushtë të Kryeministrit Berisha, mes të cilëve edhe vajza e botuesit Fahri Balliu. Por nuk kaloi as tri ditë dhe lajmi se kush e kishte fshehur këtë kompani doli në dritë. Ishte vetë prokuroria! Dokumentet e zbuluara treguan fare qartë se prokuroria ishte në dijeni që ç‘ke me të mbi ekzistencën e kompanisë "Trans Digging Construksion", pasi me procesverbal të prokurorit dhe oficerëve të policisë gjyqësore, ishte bërë sekuestrimi dhe administrimi në dosje i dokumenteve që tregonin, jo vetëm aktivitetin e kësaj kompanie, por edhe faktin se ajo ishte pikërisht kompania që kishte ndërtuar kantierin e Gërdecit, aty ku Delijorgji do të montonte më pas makineritë e demontimit të predhave. Prej muajsh, zonja Rama ka kapur pozicionin komod të viktimës politike të Sali Berishës dhe ta akuzosh atë mund të përfundosh shpejt e shpejt në radhët e inkuizitorëve politikë të drejtësisë. Padyshim që, sulmet politike ndaj prokurorisë apo vetë kreut të saj janw tw dwmshme, por edhe ta mbrosh atë aforfe është po kaq e dëmshme. Nëse nuk kemi tagër juridik për të thënë se cili është fajtori për mosbllokimin e kompanisë së Delijorgjit, ne kemi gjithë të drejtën tonë të themi me zë të lartë se njeriu, të cilit i është besuar të çojë në gjyq njerëzit që i bëjnë keq këtij vendi dhe ne të gjithëve, gënjeu publikisht. Po, Ina Rama doli para kamerave dhe tha se nuk kishte dijeni për këtë gjë dhe do të hetonte për të gjetur fajtorin. Nëse ajo vërtet nuk kishte dijeni për këtë gjë, së paku duhej të dilte sërish e të kërkonte ndjesë. Por ajo nuk e bëri këtë. Kaq do të mjaftonte që kushdo të ishte në pozicionin e saj, por në një tjetër vend, të jepte dorëheqjen, dhe jo sepse këtë e kërkon Sali Berisha. Një gruaje nuk i shkon të gënjejë, aq më shumë një gruaje, së cilës i është besuar të bëjë drejtësi, aq më shumë një gruaje, të cilën e besuam, ose deshëm ta besojmë, si njeriu që do t‘i sillte një imazh tjetër prokurorisë shqiptare, e cila ka qenë prej vitesh vegël e politikës në pushtet. Ka dhe një tjetër arsye të madhe se, përse zonja Rama duhet të ikë, dhe sërish, jo sepse këtë e kërkon Sali Berisha. Por, sepse ajo dështoi në dërgimin para drejtësisë të një ministri të akuzuar. Dështimi i procesit ndaj Lulzim Bashës nuk është fare për faj të gjykatës. Me një apo dy standarde, Gjykata e Lartë zbatoi atë që është e shkruar e zezë mbi të bardhë, që veprimet e prokurorisë, e që kryhen jashtë afatit ligjor të hetimit të një çështjeje, nuk janë të ligjshme. Prokuroria e mbajti dosjen e Lulzim Bashës për mbi një vit dhe vendimin për marrjen të pandehur, komunikimin e akuzës, dërgimin e dosjes në gjykatë dhe kërkesën për gjykimin, u kujtua t‘i bëjë pikërisht një javë pasi kishte përfunduar afati i hetimit. Ne nuk kemi prova për të treguar se kush e dështoi qëllimisht këtë çështje, e cila u mbyll pa i dhënë dot as fajësinë dhe as pafajësinë Lulzim Bashës. Por ne kemi prova të fuqishme për të dëshmuar se si u rrëzua pa marrë dot verdikt, çështja që u ka kushtuar kaq shumë kohë dhjetëra juristëve për ta hetuar, që ka kushtuar ditë të tëra debate politike në Kuvend, orë të tëra transmetime televizive, faqe të tëra gazetash e revistash. Fajtor ose jo, dosja "Basha" u hodh në kosh pa bërë dot drejtësi. Fajtore ose jo për dështimin, Ina Rama duhej të ikte pas këtij vendimi. Nëse dosja dështoi për shkak të gjykatës, Ina Rama duhej të ikte në shenjë rebelimi, për t‘u thënë të gjithëve se drejtësia nuk bëhet kështu. Nëse dështimi erdhi për shkak të prokurorisë, ajo duhej të ikte, sepse e shoi shpresën e të gjithëve që vërtet besuan me entuziazëm se një grua delikate mund të bëhet Silvia Konti, në një vend që ka kaq shumë nevojë për të tillë njerëz. Ina Rama duhet të ikë, sepse drejtësia nuk është shtëpia e "Big Brother", ku qëndron deri në fund ai që bën lojën më mirë, duke u bërë herë aleat me dikë e herë viktimë e dikujt. Drejtësia ka nevojë për njerëz kurajozë e të vendosur, që të lënë pas një punë të mirë për karrierën dhe vendin e tyre.

Publikuar sot në "Shqip"

KOMENTE