English

Kontigjenti i 14-të Paqeruajtës Shqiptar niset për në Afganistan

Tiranë, 16 prill NOA - Në aeroportin ushtarak të Rinasit u zhvillua sot, ceremonia e nisjes së Kontigjentit të 14-të Paqeruajtës në Kabul të Afganistanit. Ky kontigjent, efektiv i Batalionit të Dytë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr, përbëhet nga 23 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë. Ata do të jenë të inkuadruar në përbërje të forcave turke dhe do të përmbushin detyrat për sigurimin e aeroportit të Kabulit dhe detyra të tjera në kuadër të misioneve paqeruajtëse të NATO-s.

Në ceremoni ishte i pranishëm zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Zyber Dushku, komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë gjeneral brigade Viktor Berdaj, ushtarakë të tjerë të lartë të Forcave të Armatosura, si dhe familjarë e të afërm të paqeruajtësve.

I pranishëm gjithashtu ishte atasheu ushtarak dhe shefi i Zyrës së Koordinimit dhe Bashkëpunimit Ushtarak të Turqisë në Tiranë kolonel shtabi Saim Bagci, si dhe ushtarakë të tjerë turq që ndodhen me mision në Shqipëri.

Zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Zyber Dushku tha në ceremoni se, pavarësisht se ky është kontigjenti i 14-të që ne përcjellim për në Kabul të Afganistanit, ai është i pari që niset tashmë që Shqipëria është bërë vend anëtare me të drejta të plota në NATO.

"Prandaj dhe me këtë rast, në emër të Ministrit të Mbrojtjes dhe të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, ju shpreh përshëndetjet tona për kryerjen me sukses të këtij misioni", - theksoi Dushku.

Gjeneral brigade Dushku shprehu mirënjohje ndaj Turqisë dhe FA Turke për kontributin që ata kanë dhënë për kontigjentet shqiptare që kanë shërbyer me mision në Afganistan që nga viti 2002.

Në përfundim të ceremonisë, zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Zyber Dushku i dorëzoi flamurin komandantit të Kontigjentit të 14-të Paqeruajtës, toger Dritan Gjozi.

e.l/NOA

KOMENTE