English

Kryeministri shkon në Kinë, me ftesë të Kryeministrit Wen Jiaboa

Tiranë, 16 prill NOA - Kryeministri Sali Berisha u nis sot për një vizitë zyrtare në Kinë, me ftesë të Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës Wen Jiaboa, tha për agjencinë e lajmeve NOA, zëdhënësja e kryeministrit, Juela Meçani.

Gjatë kësaj vizite, Berisha është i ftuar të marrë pjesë edhe në Forumin Vjetor Ekonomik për Azinë (BOAO), i cili këtë vit do të ndalet gjerësisht në menaxhimin e situatës pas krizës botërore ekonomike, në impaktin e saj në ekonominë aziatike dhe se si ky rajon po përballet me efektivitet me sfidat e ngritura prej krizës.

Gjithashtu, gjatë këtij forumi do të diskutohet mbi rolin në rritje të ekonomive emergjente në botën globale financiare. Ky forum prestigjioz është iniciuar në vitin 1998 nga ish Presidenti i Australisë, Bob Hawke, nga ish Presidenti i Filipineve, Fidel V. Ramos dhe Kryeministri i Japonisë, Morihiro Hosokawa dhe është përqafuar ndër vite nga liderët më të njohur botërorë dhe nga kompanitë më të mëdha të botës.

Më pas, Kryeministri do të ndodhet në Pekin, ku do të pritet në takim nga Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës Wen Jiaboa dhe nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës Hu Jintao.

Gjatë kësaj vizite zyrtare pritet të firmoset një program i ndërsjellë për bashkëpunim kulturor për vitet 2009-2011, si dhe një marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e shëndetësisë.

e.l/NOA

KOMENTE