English

Mark Weller: "Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte e paligjshme"

Kembrixh, 16 prill, NOA - Intervistë e prof. të së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Cambridge-it, Mark Weller.

"Deklarata ishte plotësisht e justifikuar edhe me të drejtën ndërkombëtare por edhe për shkak të historisë së vështirë që Kosova e ka patur në 20 vjetët e fundit. Rasti i Kosovës është i veçantë, është një rast i një entiteti që kishte një status federal sipas Kushtetutës së vitit 1974 të ish-Jugosllavisë, prandaj kishte të drejtën të bëhej shtet, pasi u shpërbë Jugosllavia. Kjo u bë edhe më e fuqishme pas keqtrajtimeve të cilave iu nënshtrua gjatë viteve të intervenimit dhe shkeljes së madhe të të drejtave të njeriut e deri tek zhvendosja e pothuaj gjysmës së popullatës së saj në vitin 1999".

Z.Weller, ky është hapi i parë tani në Gjykatë. A ishin institucionet e përkohshme të Kosovës të ligjshme për ta shpallur pavarësinë?

- Pozita e Kosovës, megjithëse unë nuk jam i përfshirë në këtë, do të jetë se shpallja e pavarësisë është bërë nga përfaqësuesit e Kosovës, të zgjedhur në mënyrë të lirë, por që nuk kanë vepruar si Institucione të Përkohshme të Vetëqeverisjes. Prandaj shpallja e pavarësisë nuk ishte një akt që do të mund të zhbëhej nga UNMIK-u. UNMIK-u nuk provoi ta shpallte atë të pavlefshme, dhe nuk mund t[ë thuhet se me shpalljen e pavarësisë përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës vepruan jashtë kësaj kornize duke krijuar një shtet të ri. Thelbi i Deklaratës së Pavarësisë është, natyrisht, heqja e Kosovës nga zbatimi i Institucioneve të Përkohshme të Vetqeverisjes.

Pra, ju mendoni se Kosova ka respektuar edhe Rezolutën 1244 duke e shpallur pavarësinë?

- Ka kundërthënie për kuptimin e Rezolutës 1244, për disa pika që i referohen tërësisë tokësore të Jugosllavisë në këtë Rezolutë. Por, mund të argumentohet fuqishëm kundër kësaj duke thënë se tërësia tokësore, që është vendosur në Rezolutën 1244, ka të bëjë vetëm për një periudhë të përkohshme. Mbi të gjitha vetë Rezoluta 1244 i referohet procesit përfundimtar të statusit që duhet të zhvillohet mëpastaj. Nuk do të kishte nevojë për një proces përfundimtar të statusit nëse do të bëhej e qartë nga fillimi, sipas Rezolutës 1244, se pavarësia nuk ishte një opsion.

Ka deklarata me të cilat thuhet se vendimi i Gjykatës nuk do të jetë i detyrueshëm për asnjë shtet. Çfarë pasojash ka ky vendim?

- Rasti është i rëndësishëm. Do ta formësojë qëndrimin e disa vendeve që, aktualisht, po e shqyrtojnë nësë do ta pranojnë ose jo Kosovën. Ky rast tashmë i ka shkaktuar disa dëme pozicionit të Kosovës, në kuptimin se disa shtete e kanë shtyrë marrjen e vendimit derisa të mos merret mendimi i Gjykatës, dhe që për këtë duhet pak kohë. Por, ju e thoni me të drejtë se vendimi nuk është i detyrueshëm dhe një vendim kundër interesave të Kosovës nuk do ta bëjë Kosovën një shtet të paligjshëm.

Nëse vendimi, po supozojmë, do të jetë negativ për Kosovën, cilat do të jenë pasojat për të. Do të ketë bisedime të reja?

- Jo! Pozicioni i Kosovës mbetet ai që është për shkak të fakteve, pavarësisht nga mendimi i Gjykatës. Me një fjalor praktik, një vendim i Gjykatës kundër Kosovës do t'ia vështirësonte asaj mundësinë për t'u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare e, në veçanti, në familjen e OKB-së. Dhe pastaj disa shtete do të vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se ato nuk mund dhe nuk duhet ta njohin Kosovën, pra janë këto shtete që ende nuk e kanë njohur.

Z.Weller, sa e ka penguar ecjen përpara të Kosovës fakti se 5 nga 27 vendet anëtare të BE-së nuk e kanë njohur ende atë?

- Është një fakt i dhimbshëm se BE-ja nuk kishte mundësi të fliste me një zë. Por, duke marrë parasysh se pjesa më e madhe e vendeve anëtare të BE-së e kanë njohur, ky nuk ishte një faktor vendimtar, megjithëse do të ishte shumë më lehtë për Kosovën sikur të gjithë anëtarët e BE-së ta kishin pranuar së bashku.

BBC

KOMENTE