English

Qendra për çështje të Informimit Publik komenton shkarkimin e kreut të Doganave

Tiranë, 16 Prill NOA - Qendra për Çështjet e Informimit Publik, ÇIP, përshëndet vendimin e marrë nga Ministri i Financave, Ridvan Bode për shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Përparim Dervishi.

Drejtuesi i Qendrës, Gerti Shella, tha sot në një deklaratë për mediat se motivimi i këtij shkarkimi për mos-ekzekutim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë është një sinjal i mirë që marrin qytetarët shqiptarë sa i takon angazhimeve të qeverisë në këtë drejtim.

Shella kujtoi faktin se problemi i mos-ekzekutimit të vendimeve gjyqësore nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave u konstatua për herë të parë nga investigimi gazetaresk në kuadër të programit televiziv "Çështje Drejtësie", i realizuar me ndihmesën e DPK, USAID.

Sipas pohimeve para kamerës të vetë ish-Drejtorit të Përgjithshëm, Përparim Devishi, vendimet e formës së prerë nuk ekzekutoheshin me kërkesë të tij.

Z. Dervishi argumentoi se ai mbronte në këtë mënyrë paratë e taksapaguesve shqiptarë që "të mos shkonin në xhepat e subjekteve tregtare që korruptonin gjykatësit".

Megjithatë, Dervishi nuk arriti të mbështeste me argumente solide, se përse institucioni që ai drejtonte kishte kërkuar rreth 1 miliard e 600 milionë lekë (të vjetra) nga arka e shtetit si zë buxhetor për dëmshpërblim të subjekteve që kishin fituar proceset gjyqësore me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Përkundrazi, Qendra për Çështjet e Informimit Publik, ÇIP kërkon nga Prokuroria e Përgjithshme nisjen e veprimeve hetimore për të hedhur dritë mbi një skemë të tillë e cila komprometon rëndë transparencën e hartimit të buxhetit të shtetit dhe njëkohësisht njollos imazhin e Drejtësisë, vendimet e së cilës mbesin në letër dhe të pazbatuara.

Moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të formës së prerë dhe mos-alokimi i fondeve të kërkuara për këtë qëllim janë që të dyja objekt hetimi nga Prokuroria.

Sikurse e ka konstatuar edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, por edhe aktorë të specializuar të shoqërisë civile, Qeveria shqiptare është aktualisht mos-zbatuesja më e madhe e vendimeve gjyqësore të formës së prerë në Republikën e Shqipërisë.

e.l/NOA
KOMENTE