English

Starton Muaji i Infermierit, parashikohen aktivitete dhe një konferencë kombëtare

Tiranë, 16 prill, NOA - Urdhëri i Infermierit të Shqipërisë informon se në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë organizon "Muajin e Infermierit", në periudhën e datave 12 prill - 12 maj me moton "Të punojmë së bshku për të ardhmen e profesionit tonë".

Bëhet e ditur për agjencinë e Lajmeve NOA nga ky organizëm se gjatë këtij muaji, në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit, në të gjitha spitalet dhe në të gjitha drejtoritë e Shëndetit Publik, do të organizohen seminare, trajnime dhe konferenca rajonale, në të cilat do të diskutohen dhe gjenden zgjidhjet mbi arritjet dhe sfidat që i përkasin kujdesit shëndetësor tek ne.

"Do t'i jepet rëndësi kryesore rritjes së nivelit profesional, nivelit kulturor, autonomësisë, komunikimit, sigurisë dhe saktësisë në veprime, zbatimit të ligjit dhe kodit Etik Deontologjik të infermierëve, vlerësimit dhe përfaqësimit të këtyre profesionistëve në të gjitha nivelet administrative dhe politike të shëndetësisë shqiptare", pohojnë drejtues të Urdhërit të Infermierit.

Nga ana tjetër, në aktivitetet që do të ndërmerren në kuadër të këtij muaji, do të vlerësohen arritjet që nga dyfishimi i pagave për personelin e kujdeseve, Ligji për UISH, Kodi Etik-Deontologjik i Infermierëve, krijimi i Qendrës Kombëtare për Edukim të Vazhdueshëm, fillimi i studimeve për masterin në infermieri etj.

"Sfida jonë për të ardhmen mbetet rritja e nivelit profesional dhe kulturor të këtyre profesionistëve në nivelin e kolegëve evropiane si edhe zbatimi me korrektësi i kodit Etik-Deontologjik për një përkujdesje sa më të mirë ndaj pacientëve", shtojnë drejtuesit.

E gjithë kjo veprimtari do të kurorëzohet me konferencën e Infermierisë e cila do të mbahet në datën 12 maj 2009, e cila përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Infermierit. Urdhëri i Infermierit të Shqipërisë informon kjo veprimtari do të çelet me një takim me pjesëmarrje të gjerë të përfaqësuesve të infermierisë nga i gjithë vendi në datën e sotme tek Instituti i Shëndetit Publik, salla e ASHR në Tiranë.

n.e/NOA

KOMENTE