Tiranë, 16 Prill NOA - Një djalë i ri në Tiranë, ishte kthyer në mjeshtër të vjedhjes së makinave të luksit, duke u shtirur si klient agjencish që japin automjete me qera në kryeqytet.
Por kjo aventurë e përsëritur shumë herë në një varg kompanish që ai "peshkonte", ka marrë fund sot pasi ra në pranga. Strukturat e Hetimit të Krimit, të sektorit Kundër Krimit-Financiar në Policinë e Tiranës,
kryen sot operacionin e koduar "Rent", duke vendosur nën pranga 32-vjeçarin Hektor Mamli, lindur e banues në Tiranë. Zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini, tha për agjencinë e Lajmeve NOA se i riu përballet me akuzat për "Mashtrim për më shumë se një herë" dhe "Mashtrim në shuma të mëdha". Sipas saj, në sajë të një hetimi intensiv disa mujor, me metodat speciale të hetimit u arrit kapja e këtij shtetasi, në tentativë për t'u larguar nga Pika e Kalimit Kufitar Morinë. Ndaj Hektor Mamlit, janë deponuar një sërë kallëzimesh për mashtrim në shuma të konsiderueshme parash nga kompani si "Classic Wolsksvagen Sh.P.K", firma "Anas Sh.P.K, distributor i Fiatit në Shqipëri", "Meridiane Travel & Tours Sh.P.K", "Chevrolet Sh.P.K", "Mitsubishi Sh.P.K", "Anvil Sh.P.K", "Lisingu Sh.P.K", "Lumani Sh.P.K, si dhe kompani të tjera, por edhe qytetarë të ndryshëm. I arrestuari, dyshohet se, duke shfrytëzuar njohjet shoqërore, ka realizuar më së miri marrjen në formën e borxhit të shumave të parave që varionin nga 5 000 euro deri në 8 000 mijë euro. Pas marrjes së parave borxh, i riu u linte si garanci shtetasve të ndryshëm, automjetet e marra me qera nga të gjitha kompanitë e sipërpërmendura. Aktualisht 32-vjeçari, kishte marrë me qera me anë të mashtrimit 23 automjete në pronësi të kompanive të mësipërme, vlerë e cila arrin në shumën prej 150 000 euro. duke qenë se ka "lumë" dyshimesh por 32-vjeçarin, Katragjini deklaroi se "ne u bëjmë thirrje qytetarëve apo kompanive të ndryshme të mashtruar dhe dëmtuar nga ky person, të paraqiten për deponuar kallëzimet e tyre, pranë Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko - Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë". Për këtë çështje, Katragjini theksoi se nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe drejtuesve të Policisë së Tiranës, po realizohet dhe po zhvillohet një punë e kualifikuar profesionale, në drejtim të hetimeve personave të dëmtuar dhe dëmit të shkaktuar.
a.k/NOA