Tiranë, 16 prill NOA - Partia Socialiste (PS), është tërhequr sot zyrtarisht nga kërkesa që parashtroi kohët e fundit që për të gjithë qytetarët të jepen kartat falas deri në datën e zgjedhjeve të përgjithshme, më 28 qershor.
Pohimin e ka bërë Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, i cili doli sot në mesditë para mediave ku foli për situatën parazgjedhore.
Duke evidentuar të dhënat e marra nga terreni, Islami pohoi se ritmet e aplikimeve kanë rënë ndjeshëm dhe mbeten larg mundësive teknike e premtimeve për rreth 100 mijë aplikime në javë.
"PS u bën thirrje njerëzve të përgatiten shpirtërisht për të shpëtuar demokracinë në rrezik me rezistencë paqësore", - tha Islami.
Ai theksoi se nuk mund të ketë zgjedhje po qe se edhe një shqiptar nuk arrin të votojë për shkak të taksës së votës.
"Por, nga ana tjetër, - shtoi Islami, - gjithkush që nuk e paguan dot këtë taksë të turpshme për shkak të varfërisë duhet të dijë se PS do të rezistojë me të gjithë mjetet demokratike për të garantuar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve".
Islami theksoi se për shkak të paaftësisë deri më sot, por mesa duket edhe mungesës së vullnetin të qeverisë, problemi i pajisjes së votuesve pa pasaportë mbetet i pazgjidhur dhe shumë më i rrezikuar se asnjëherë tjetër deri tani", - dhe shtoi se "gjendja është alarmante".
Nga ana tjetër Islami tha se qeveria duhet të gjejë zgjidhjet e përshtatshme në përdorimin e kartës së identitetit, për të gjithë shërbimet e tjera pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Duke përsëritur se qytetarët nuk duhet t'i nënshtrohen taksës së votës duke nënkuptuar 1200 lekët që duhen paguar për kartën e identitetit, Islami paralajmëroi se "nëse situata nuk ndryshon, PS do të përshkallëzojë shprehjen e refuzimit ndaj këtij procesi tanimë qëllimisht të dështuar e të kompromentuar nga qeveria.
e.l/NOA