Gjirokastër, 16 prill NOA - Një i ri është arrestuar sot nga policia e Gjirokastrës, pak orë pasi u kap gjatë natës duke trafikuar një grua me fëmijën e saj në drejtim të Greqisë.
Korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA informon se është prangosur Taulant Myftar Balliu, 20 vjeç, (e shihni në foto), lindur dhe banues në fshatin Mamaj të rrethit Tepelenë.
Burime të Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastër i thanë NOA-s se arrestimi u bë pasi gjatë natës duke gdhirë e Enjtja, është kapur në flagrancë në afërsi të fshatit Kakavijë, pranë kufirit me Greqinë, duke shoqëruar një femër së bashku me fëmijën e saj të vogël.
"Nga hetimi doli se 20-vjeçari, do t'i ndihmonte nënë e bir për të kaluar kufirin e gjelbër në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit nga 800 euro për gruan e re dhe 400 euro për fëmijën", konfirmuan burimet policore.
Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se së bashku me Tauland Balliun ka kenë edhe një tjetër, nga një fshat i rrethit Tepelenë, i cili i ka shpëtuar kapjes së policisë.
"Ne nuk arritëm të kapim dhe prangosim të dyshuarin e dytë të trafikut të klandestinëve, pasi ai ishte disa metra më larg duke ndihmuar një person tjetër për të kaluar ilegalisht në Greqi, po kundrejt fitimit 800 euro dhe kur ishte duke u kapur Balliu, është larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira", - detajoi policia.
Gjithashtu nga veprimet hetimore rezultoi se organizatori i këtij trafiku ka qenë pikërisht i dyshuari që u arratis dhe tani po kërkohet nga policia.
Mësohet se i zhdukuri, emri i të cilit nuk u bë i ditur për efekt hetimi, do të përfitonte 1600 euro, ndërsa i arrestuari Balliu, do të përfitonte 400 euro.
Tani, që të dy përballen me akuzën për veprën penale të "Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit".
v.d/NOA