Has, 16 Prill NOA - Në një takim të G99 me qytetarë dhe banorë të Hasit, kreu i kësaj partie Erion Veliaj ka evidentuar faktin sipas tij, se shqiptarët pavarësisht preferencave të kahëve politikë janë ndarë artificialisht dhe që problemet e tyre janë të njëjta.
"Sot udhëkryqi ku gjenden shqiptarët nuk është majtas apo djathtas por lart ose poshtë. Ajo që po shohim sot është se Shqipëria si pasojë e keqqeverisjes së Berishës po shkon poshtë. Kjo nuk është Shqipëria e ëndrrave dhe sakrificave të prindërve tanë. Në datën 28 qershor mund ta ndryshojmë këtë", - tha Veliaj.
Gjatë takimit ai adresoi dhe disa nga problemet më të rënda me të cilat zona si Hasi përballen si varfëria dhe mundësia e arsimimit dhe punësimit të brezit të ri.
Duke folur për historitë e vështira të fëmijëve që duhet të punojnë për të përballuar jetesën, ai bëri kontrastin me fëmijët e privilegjuar të qeveritarëve dhe këshilltarëve të cilët sipas tij nuk kanë shkelur në shkolla apo spitale publike.
"Sot nuk mund të ketë dy Shqipëri, një të vogëlushes Eleonora nga zona juaj që pastron qytetin dhe pastaj shkon në shkollë, dhe një Shqipëri të fëmijëve të Berishës dhe Balliut. Ne duam një Shqipëri dinjitoze ku gjithsecili që ka dëshirë dhe talent do të ketë mundësi për të punuar dhe për të ndërtuar jetën me punë të ndershme dhe ku fëmijët tanë do të kenë shanse të barabarta", - tha kryetari i G99.
e.l/NOA