Nga Alkman Granitsas
"Dow Jones Newswires"
Â
Athinë, 17 Prill NOA - Shqipëria do të paraqesë formalisht kërkesën e vonuar për anëtarësim në BE brenda pak javëve të ardhshme, ka deklaruar Kryeministri Sali Berisha.
Duke folur në një intervistë për Dow Jones Newswires, Berisha tha se aplikimi do të paraqitet përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme të planifikuara për në 28 Qershor.
"Aplikimi zyrtar do të bëhet përpara zgjedhjeve, "tha ai në një intervistë telefonike dhe shtoi se aplikimi ka mbështetjen e presidencës aktuale Çeke të BE-së".
Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Evropë është përpjekur të reformojë ekonominë e saj, të modernizojë infrastrukturën e vjetër dhe të zhvillojë lidhje më të ngushta me Perëndimin.
Në 1 Prill, së bashku me Kroacinë, Shqipëria hyri edhe zyrtarisht në Traktatin e Atlantikut të Veriut duke bërë një hap të madh në evoluimin nga një vend i izoluar komunist, në një vend anëtar të komunitetit ndërkombëtar. Shumë e konsideruan hyrjen në NATO si pararendëse të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
"Anëtarësimi në NATO është provë e besimit të madh të komunitetit ndërkombëtar në vendin tim," tha Berisha. "Projekti i dytë i madh tani është anëtarësimi në BE."
Sidoqoftë, reforma politike është dëmtuar nga raporti i dobët i vendit në zgjedhjet e kaluara që u dëmtuan nga mashtrimi dhe akuzat për parregullsi elektorale.
Zgjedhjet e Qershorit, në të cilat Partia Demokratike në pushtet e Berishës dhe opozita socialiste do të konkurrojnë fort, do të shikohen si një test kyç i gatishmërisë së vendit për të hyrë në BE.
Berisha u angazhua se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira dhe të ndershme dhe në nivelin e standardeve të BE-së.
"Zgjedhjet do të jenë një test kryesor, nëse Shqipëria është e gatshme të ecë më përpara, sepse ne kemi pasur probleme më zgjedhjet e kaluara," tha ai. "Dhe ne duhet të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme."
Saktësia e sondazheve të opinionit publik në Shqipëri shpesh kontestohet, por një sondazh i kohëve të fundit i kryer për televizionin Top Channel tregoi një dallim të ngushtë prej dy pikësh mes dy partive kryesore.
Por, në procesin e zgjatur të anëtarësimit në BE, zgjedhjet nuk do të jenë i vetmi test. Blloku evropian aktualisht po vuan nga "lodhja e zgjerimit", pasi ka shtuar 12 anëtarë të rinj gjatë pesë viteve të fundit, një ndjenjë që është forcuar me fillimin e krizës ekonomike.
Dhe përveç Shqipërisë, gjashtë vende të tjera nga Ballkani dhe Evropa Juglindore- Bosnja, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia - gjithashtu po shkojnë drejt krizës ose ndryshe shpresojnë të aplikojnë për në BE.
"Anëtarësimi në BE është një proces më i komplikuar se sa hyrja në NATO. NATO asnjëherë nuk pati lodhje zgjerimi, kurse BE-ja po ndeshet me një lodhje zgjerimi," tha Berisha. "Gjithashtu, në gjykimin tim, kjo krizë do të jetë edhe një faktor ngadalësues se sa një faktor përshpejtues në pranimin e anëtarëve të rinj."
Gjatë viteve të fundit, qeveria Shqiptare ka bërë progres në drejtim të pakësimit të burokracisë, privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore dhe tërheqjes së investimeve të huaja, të cilat kohët e fundit kanë qenë pjesë e një plani për t'u bërë një qendër energjie nga Evropa juglindore. Sidoqoftë, korrupsioni mbetet ende një problem kryesor.
Ekonomia gjithashtu ka ndjerë efektet e krizës ekonomike ndërkombëtare. Nga fundi i vitit të kaluar, vendi u ndesh me tërheqje në shkallë të gjerë të depozitave të shkaktuar nga frika për stabilitetin e sistemit bankar, ndërsa paratë e dërguara nga emigrantët- një burim kryesor i këmbimit të valutës së huaj- janë ngadalësuar.
Monedha, Leku, ka rënë me rreth 8% kundrejt euros dhe rreth 18% kundrejt dollarit. Eksportet janë pakësuar dhe ka shqetësime se edhe numri i vizitorëve të huaj këtë vit do të bjerë, sepse kriza ekonomike ndikon në udhëtimet e turistëve evropianë.
Si rezultat, ekonomia formale prej 22 miliard dollarësh- me ekonominë informale që i shton deri në 50% më shumë- pritet të ngadalësohet duke arritur një rritje ekonomike prej 4% të GDP-së, nën nivelin 6% që ishte në 2008.
"Rritja ekonomike këtë vit është shumë e vështirë për t'u parashikuar," tha Berisha. "Disa të dhëna paraprake sugjerojnë se rritja ekonomike do të jetë rreth 4%. Por, në këtë pikë asnjë nuk mund të thotë."
Nga Alkman Granitsas, Dow Jones Newswires
Versionin anglisht të intervistës e gjeni në NOA News