English

Blushi: Sapo të vijmë në pushtet do të punësojmë njerëzit

Korçë 17 prill NOA - Anëtari i Kryesisë së PS, njëherësh deputeti, Ben Blushi ka zhvilluar sot një takim me banorë të lagjes nr.6 në qytetin e Korcës, me të cilët ka prezantuar pjesë nga programi qeverisës.

Blushi deklaroi se punësimi është një nga pikat themelore të këtij programi.

"E kam zgjedhur lagjen nr.6 të Korçës për shkak se në këtë lagje varfëria është më e madhe dhe papunësia në masë, ndërkohë që edhe në qytetin e Korçës këto fenomene janë shumë të prekshme" u shpreh deputeti Blushi.

Sipas tij askush nuk do guxojë të prekë votën e shqiptarëve në 28 Qershor, pasi shqiptarët do votojnë kundër varfërisë, papunësisë dhe mungesë së shpresës:

"Qeverinë e Shqipërisë do ta ndryshojmë me votat tona të lira, të ndershme dhe që askush nuk do të guxoj t'i prekë. Më 28 Qershor, do të shkojmë për të votuar për veten tonë, do të shkojmë të votojmë kundër varfërisë, papunësisë, mjerimit, mizërisë, kundër gjithçkaje që sot na mungon". shtoi më tej Blushi.

"Në qoftë se ka një çështje të madhe që programi i Partisë Socialiste do ta marrë seriozisht, nga dita e parë kur vjen në pushtet, është punësimi i njerëzve. Në këtë lagje, në 2005, është zgjedhur deputet Ministri i Financave të Shqipërisë, i cili është deputeti i juaj. Dhe Ministri i Financave është deputet në zonën më të varfër të Shqipërisë. Ministri i Financave që del çdo ditë në televizion e krekoset gjoja për arritjet e qeverisë, ka marrë vota në zonën më të varfër" u shpreh Blushi.

k.k/NOA

KOMENTE