English

Centrali bërthamor, Gjukanoviç: Të nisin diskutimet. Në Shkodër, postera kundër

Tiranë, 17 prill, NOA - Projekti i fshehtë për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër, në sajë të bashkëpunimit me Kroacinë, ka nisur të ketë reagimet e para zyrtare nga vendet e rajonit.

Nga ana e tij, kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç është shprehur se nuk ka nevojë për shqetësime dhe se kjo nismë është ende në fazën fillestare.

"Mali i Zi do të marrë pjesë në bisedimet me zyrtarët e të gjitha vendeve të rajonit për ngritjen e këtij centrali bërthamor dhe nëse planet nuk ndryshojnë, atëherë bisedimet do të përqendrohen në çështjen se ç'duhet bërë për të garantuar se centrali bërthamor nuk do të dëmtojë mjedisin, sigurinë ose shëndetin e banorëve", mësohet të ketë deklaruar ai. Ndërkaq, një zëdhënës i qeverisë kroate konfirmoi se Kroacia dhe Shqipëria do të nënshkruajnë një dokument kornizë për ndërtimin e centralit të përbashkët bërthamor.

Ai do të ndërtohet në zonën e Shkodrës dhe pritet që të ketë mjaft kundërshtime nga banorët vendas.

Që dje, qendra e qytetit të Shkodrës ishte mbushur me posterë kundër ndërtimit të centralit bërthamor, të cilët u kanë bërë thirrje qytetarëve të bashkohen kundër kësaj iniciative.

Në postera shkruhej: "Ndal centralit nuklear në Shkodër! Ndal Bombës Atomike! Ndal Vdekjes! Ndal shkatërrimit të qytetit tonë! Ndal Radioaktivitetit! Ndal vdekjes së parakohshme dhe lindjes së fëmijëve me deformime! Bashkohu që të ndalosh kancerin ne qytetin tonë!".

I shoqëruar me disa foto fëmijësh me deformime fizike apo shpërthime, ai paralajmëronte shkodranët për rrezikun që i kanoset qytetit të tyre nëse një projekt i tillë bëhet realitet.

n.e/NOA

KOMENTE