Të nderuar bashkëqytetarë, pashë rizenë e Zotit, mos u brengosni nëse Tadic'i dhez ndonjë qiri në Deçan
Â
Nga Petrit Selimi*
Gjatë paradites pata një debat me një mik. Kishte dëgjuar që në orët e hershme të mëngjesit se Qeveria kishte refuzuar t'i jep leje Tadiçit për një vizitë në Manastirin e Deçanit.
Vura bast se Tadiçi do të vjen në Kosovë. Nuk më dukej reale që Qeveria e Kosovës mund të ndalojë Kryetarin e shtetit fqinj ta vizitojë një nga kishat më të vjetra të popullit të tij (sipas Kushtetutës së Kosovës, manastiri në Deçan është pronë e Kishës Ortodokse Serbe). "Nuk po e njihje Thaçin. Kurrën e kurrës nuk do ta lë Tadiçin" - më bëri be ky miku dhe në fund pranoi bastin. Diku kah mbrëmja më lajmëroi se, me gjasë, Solana ka bërë trysni që mos të krijohet ekses i panevojshëm dhe se Tadiçi megjithatë do të vjen në Kosovë. Më erdh një shije e tharbët përkundër faktit që fitova bastin. Shija e tharbët më erdh sepse këto "Jo"- të lidershipit kosovar shpesh më duken të pamenduara mirë. Njeriu gjithmonë duhet zgjedhur betejat. Nganjëherë edhe e humb betejën, derisa kjo është pjesë e fitores së luftës, mu sikur në shah kur lojtarët sakrifikojnë ndonjë figurë të rëndësishme për të krijuar peizazhin e favorshëm për fitore përfundimtare. Kosova ka renditur një seri fitoresh historike dhe përfundimtare ndaj Serbisë. Fitore të vërteta dhe të matshme që kanë bërë mirë popullit shqiptar, jo aso fitore të Pirros a Car Lazarit. Jemi të pavarur krejtësisht dhe pakthyeshëm nga Serbia. Kemi pasur fatin që të jemi nën mbrojtjen e NATO-s, që filloi një luftë, të parën në territorin europian që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, për të na mbrojtur neve. Jo Palestinezët. Jo Kurdët. Jo Sudanezët e Darfurit. As ndonjë popull shumë më të përvuajtur e të leckosur se ne, por ja që qëlluam nën konstalacion të duhur të marrëdhënieve ndërkombëtare që kjo u bë e mundur. Dhjetë vjet më vonë shpallëm Pavarësinë që e ribëri hartën e Europës, me siguri për së fundi herë. Ka mundur më herët, por kur i shikon njeriu problemet e ngrira në Qipro e gjetiu, edhe kjo kohë nuk paraqiti vonesë tmerrësisht të madhe. Jemi përfituesit më të mëdhenj në historinë e njerëzimit të ndihmave nga më të llojllojshmet për kokë banori (kjo nuk është teprim kolumnistësh por e dhënë statistikore). Betejat që na kanë mbetur vis-à -vis Serbisë nuk mund të reduktohen në inate për vizita. E di që kanuni na ka lënë ca predispozita që të brengosemi fort për hyrje e dalje nga oborri e konaku i shpisë, por jam thellësisht i bindur se ka gjëra esencialisht më të rëndësishme për ne, se shëtitjet e Tadiçit në Kosovë. Edhe Tadiçi bile ka punë esencialisht më të rëndësishme se vizita në Kosovë, të cilën as ai as populli serb nuk e konsideron prioritet politik. Qeveria serbe është duke mbledhur pare majtas e djathtas për me mbulue birën buxhetore të madhe 3 miliardë dollarë për këtë vit. Sipas një sondazhi të publikuar në "Politika" të Beogradit, vetëm 4% të serbëve konsiderojnë që Kosova është temë e rëndësishme në Serbi. Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet kryesisht në dy gjëra: rimëkëmbja ekonomike dhe kriza sociale, dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare, duke përfshi edhe njohjen e statusit përfundimtar. Në të dy çështjet, me Serbinë na kanë mbetur një kalavesh betejash që duhet fituar, por as këto betejat s'janë më ato që kanë qenë k'tyne herë. Nuk mund të përparojmë nëse Kosova është bazë e "shvercit' ballkanik, kështu që duhet të bisedojmë me Eulex dhe OKBëtë si të fillojmë menjëherë t'i doganojmë mallrat e "shvercovatun' çdo ditë kah pikat kufitare veriore. Shembull tjetër, kthimi i pasurisë arkeologjike nga Beogradi është çështje shumë më e rëndësishme se vajtje-ardhjet turistike të politikanëve. Por ç' është më me rëndësi, duhet përfunduar me sukses dhe pa hile tenderët e xhevahirëve të Kosovës: TC Kosova e Re, Vala 900, Autostrada shqiptare dhe Aeroporti i Prishtinës, për t'i tërhequr investitorët e pastër dhe kredibilë. Duhet reformuar sistemin arsimor që kosovarët të jenë kompatibil dhe kompetitivë me europianët në tregun e punës. Duhet ribërë sistemin shëndetësor se vdiqëm pa pikë nevoje nga sëmundjet e shërueshme e të pashërueshme. Duhet plotësuar me dhjetëra kushte teknike të hyjmë në Listën e Bardhë të Shengenit, e të udhëtojmë më shlirë nëpër dynje, sepse u kalbëm në geton kosovare. Duhet mbjellë 2 milion fidane që fëmijët tanë të kenë Kosovën e gjelbër e jo të ngulfatur nga qeset e plastikës dhe pluhuri i ‘baushtellave" lokal dhe termocentraleve gjermanolindore. Duhet punuar çdo ditë që Kosova të njihet si shtet edhe nga të tjerët. Duhet treguar se jemi Kosova e Kushtetutës më demokratike në Europë. Kosova e shpresës dhe ndërmarrësisë. Kosova e rrugëve dhe zemrave të hapura. Kështu që nuk kam fort gajle nëse Tadiçi e dhez një qiri në Manastirin e Deçanit sepse nuk e kam prioritet jetësor. Kjo betejë fare e parëndësishme nuk do të duhej të ishte as prioritet i Qeverisë Thaçi. Tekefundit, Qeveria e Kosovës duhet të përshëndet që faktin që Qeveria serbe po ndërron politikën krejtësisht duke pranuar ingjerencat dhe pozitën e ICO-s në Kosovë. Serbia ka bërë be me nanë e me babë që KURRË s'do ta njeh as EULEX-in as ICO'. Nëpër dyer të vogla kapixhikësh, Serbia i hëngri fjalët e veta, dhe kjo do të duhej të ishte një fitore e vockël e jona: si këlyshë varfanjakësh po shohim Serbinë tek e lut Peter Feithin për leje me ardhë në Kosovë. Kështu që të nderuar bashkëqytetarë, pashë rizenë e Zotit, mos u brengosni nëse Tadiçi dhez ndonjë qiri në Deçan. Qaty kanë mbetur.
(*) Publikuar sot në "Express", Prishtinë