Tiranë, 17 prill NOA - Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahiu, i bëri thirrje Partisë Socialiste që "të mos demotivojë qytetarët për t'u pajisur me karta identiteti".
Njëkohësisht, Spahiu sugjeroi që opozita duhet të konkurrojë me alternativa dhe jo të humbasë kohë me krijimin e alibive për humbjen e saj në zgjedhjet e 28 qershorit.
Deklarimet e Spahiut u bënë në kinoteatrin e qytetit të Fushë-Krujës, ku partia "Lëvizja e Legalitetit" prezantoi para zgjedhësve të këtij qyteti kandidatin e saj Enver Kaloshi.
Në fjalën e tij Spahiu tha se në zgjedhjet e 28 qershorit partia "Lëvizja e Legalitetit" do të shfrytëzojë të gjitha hapësirat që lejon kodi zgjedhor dhe brenda koalicionit të djathtë do të konkurrojë me 140 kandidatët e saj në të gjitha qarqet e vendit.
Duke iu drejtuar qytetarëve të Fushë-Krujës të cilët kishin mbushur plot e përplot sallën, Spahiu tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një arritje historike për vendin dhe kombin shqiptar.
"Një kontribut shumë të madh për këtë anëtarësim ka dhënë edhe Fushë-Kruja me pritjen madhështore që i rezervoi presidentit Bush', - tha më tej, Spahiu.
Ai, i bëri thirrje jo vetëm legalistëve dhe simpatizantëve të PLL, por gjithë shqiptarëve që nuk janë të pajisur me dokumentet e identifikimit që të aplikojnë sa më shpejt për kartat e identitetit.
Ndryshe nga Partia Socialiste që e trajton pajisjen e qytetarëve me karta identiteti si një detyrim që ka lidhje vetëm me procesin e votimit, Spahiu tha se pajisja e qytetarëve me dokumente identifikuese është një detyrim i tyri ligjor dhe me vlerë të përhershme të cilin ata duhet ta plotësojnë sa me shpejt që të jetë e mundur.
k.k/NOA