English

Publikohen 4 korrespondenca të CIA-s me Departamentin e Drejtësisë

Uashington, 17 prill, NOA - Gjithmonë e më shumë, gjatë presidencës Obama po dalin në dritë sekrete të funksionimit të Agjencisë së Inteligjencës Amerikane, CIA.

Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka publikuar së fundmi 4 letra korrespondence që ka pasur me CIA-n gjatë administratës së presidentit Bush.

Gjatë tyre vihet re se në komunikimet me CIA-n, Departamenti i Drejtësisë i këshillonte hetuesit se cilat metoda ishin ligjërisht të pranueshme gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve për akte terrorizmi.

Sipas këshillës së Departamentit të Drejtësisë, hetuesit lejoheshin t'i shkaktonin të pandehurit njëfarë dhimbje fizike, por jo serioze.

Ndër to, përfshihet edhe marrja e dëshmive nga të pandehurit me anë të teknikës së hedhjes ujë mbi fytyrën e tij të mbështjellë me rrobë, duke i krijuar ndjesinë se po mbytet.

Ndërkaq, lidhur me këto metoda, presidenti Obama theksoi se zyrtarët e CIA-s që kanë përdorur teknika të tilla, tani nuk mund të ndëshkohen, pasi ata kanë vepruar në bazë të këshillimeve ligjore të kohës.

Por një deklaratë e tillë e tij, që nxirrte si të pafajshëm ata që kishin abuzuar me të burgosurit në Amerikë është kundërshtuar ashpër nga "Amnesty International".

Sipas këtij organizmi të të drejtave të njeriut, punonjësit e CIA-s që kanë përdorur torturë ndaj të dyshuarve për terrorizëm gjatë administratës Bush, duhet të ndëshkohen dhe jo të lihen të lirë duke i justifikuar.

n.e/NOA

KOMENTE