Tiranë, 17 prill, NOA - Qeveria e drejtuar nga kryeministri Berisha, nuk duhet të vazhdojë më ta mohojë prekjen e vendit nga kriza ekonomike, si edhe ajo politike, por ta pranojë atë publikisht.
Ky apel i mbërriti mazhorancës paraditen e sotme nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, sipas të cilit tashmë nuk ka më vend për të fshehur efektet e krizës, të cilat kulmuan sipas tij me shkarkimin e kreut të Doganave, Përparim Dervishi, pasi qeveria vuri re se nuk kishte paratë që priste dhe i duheshin.
"Kriza ekonomike është mes nesh, në çdo familje dhe atë e ndiejmë që të gjithë. Ndërsa krizën politike duhet ta shmangim me angazhimin e të dyja palëve", deklaroi kreu socialist.
"Unë e siguroj sot Sali Berishën se as kriza ekonomike, që po hyn përditë e më thellë në ekonominë reale të familjeve e të sipërmarrjeve shqiptare nuk mund të menaxhohet duke bërë sikur s'ka problem dhe as kriza politike, që po afrohet përditë e më shumë bashkë me dështimin e procesit të pajisjes së zgjedhësve me karta identiteti, nuk mund të shmanget duke bërë sikur s'ka problem", shtoi ai.
Ndërkaq, nuk harroi të kritikonte në konferencën e tij për shtyp as manovrat e qeverisë me kartat e identitetit dhe pasaportat e qytetarëve, të cilat sipas tij po kërkojnë të manipulojnë që tani zgjedhjet e 28 qershorit.
"Apeli im për kryeministrin është që të dëgjojë kambanat të cilat po bien për zgjedhjet", përfundoi deklaratën e tij publike, kreu i selisë rozë, Edi Rama.
n.e/NOA