English

Realiteti - Burgjet, një turp për Greqinë moderne

Nga Albert Zholi Shpëtim Zinxhirija - Edhe një shqiptar tjetër Fatmir Oruçi, vdes në në mënyrë misterioze në qelinë e burgut grek, një vdekje që shton akoma numrin ogurzi të bashkatdhetarëve tanë në shtetin fqinj. Ajo nuk është as e fundit dhe as e para, nëse nuk ndryshon mentaliteti grek.

Vdekja e shqiptarit në burgun grek nxjerr para përgjegjësisë jo vetëm politikën greke, por edhe atë shqiptare, e cila në vitet e emigracionit ka treguar se është e pazonja të mbrojë jo të gjallë, por edhe të vdekur qytetarët e saj.

Shqipëria nuk ka përse të mbështetet vetëm në raportet që i dërgohen nga përfaqësia e saj nga Athina, po ajo nëse ka interes duhet vërë në lëvizje edhe mekanizma të tjerë që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Sipas të dhënave, nga viti 1998, deri në 6-mujorin e parë të vitit 2007 kanë gjetur vdekjen 364 shqiptarë, ku 165 prej tyre kanë vdekur në tre vitet e fundit (2004-2007).

Janë vdekje që lenë shumë për të menduar dhe debatuar.

Si ka mundësi që në burgjet e një vendi të BE, siç është Greqia të vdesin për një vit 30 të dënuar, më saktë 5 në muaj dhe a duhet dikush të mbajë përgjegjësi për to?

Mos vallë kemi të bëjmë me krime brenda qelive të errëta në këto burgje?

Vetëm në vitin 2000 gjetën vdekjen 54 njerëz, po kaq njerëz vdiqën edhe në 2006, ndërsa për gjashtëmujorin e parë të 2007, patëm 36 të vdekur të tjerë.

Sipas të dhënave dhe burimeve të tjera të publikuara në shtypin vendas, për vitin 2006 gjetën vdekjen 250 të dënuar, por në këto vdekje nuk shënohen të dënuarit që vdesin në spitale dhe që dërgohen atje gjysmë të vdekur.

Askush nuk përpiqet për të përmirësuar kushtet e jetesës në qelitë e burgjeve.

Vitet e fundit janë dyfishuar edhe vdekjet në rajonet e policive, ku mbahen rreth 3.000 të tjerë, të pagjykuar akoma.

Ndërkaq, djegia për së gjalli e 4 të burgosurve në vitin 2006 në qelinë e tyre në burgun Koridalo të Athinës, nuk shqetësoi më asnjë organ përkatës.

Në vitin 2007, Greqia u dënua me gjobë nga Gjykata e Bashkimit Evropian, nga akuza që i ishte bërë nga komisioni Evropian Kundër Torturës. Kushtet e jetesës mesjetare çdo vit kanë sjellë protesta të herëpashershme.

Mungesa e mjekëve në burgje, kontrolli i tyre shëndetësor dhe ai psikiatrik ka arritur kulmin.

Nga një burim tjetër mësohet se një 15-vjeçar u gjend i varur në qelinë e tij, ndërsa brenda një periudhe 8-vjeçare numri të vdekurve në burgje dhe në dhomat e mjekimeve ka shkuar në 400.

Në burgje mbahen të burgosur njerëz të pagjykuar deri në 18 muaj, një vendim ky i brendshëm i ministrisë përkatës. Një i burgosur i kushton qeverisë greke 860 euro në muaj. Për këtë ajo ka kërkuar që të burgosurit t'i kryejnë dënimet në vendin e tyre.

Një marrëveshje e tillë është bërë me vendin tone në një kohë kur ka mbi 2.000 të dënuar.

Greqia ka numrin më të madh të burgosurve në Evropë.

1 në çdo 1 000 banorë vuan dënimin pas kangjellave të burgut, ku jeton gjysmë i gjallë dhe gjysmë i vdekur.

Sot në burgje vuajnë dënimin rreth 13.000 mijë prej tyre nga 2.500 që ishin dënuar në vitin 1978. Kjo ka ardhur si rezultat i vendimeve të gjykimeve të gjykatësve në shkelje të ligjit.

Burgjet sot janë të mbipopulluara në 142 %. Nga 7.000 vende që është kushti normal, sot mbahen 13.000 të tillë, të stivuar njëlloj si në kuti sardele, duke haruar për një cast që këto ndodhin në një vend të BE dhe jo në mesjetë.

Kjo ndodh në një kohë kur sipas autoriteteve kompetente, gjysma e të burgosurve nuk duheshin të jenë sot në burgje, pasi nuk janë dënuar.

Shqiptarët përbëjnë 50 % të numrit të dënuarve ndaj të huajve, ndërsa 60 % e të dënuarve janë për arsye droge.

Vendimet e ashpra kanë bërë që në burgun e Koridalos nga 640 që është mundësia mbahen 2150 të burgosur.

Qeveria aktuale ndalon organizmat të ndryshme dhe Shoqatën Mjekësore që të bëjnë vizita për të parë nga afër kushtet e jetesës, ndalimin e dhunës dhe keqtrajtimin e të burgosurve, privimin arbitrar nga përfitimet sipas ligjit vendas.

Po kjo nuk do të thotë që vendi ynë në bazë të ligjeve ndërkombëtare të mos interesohet për të parë se si jetojnë dhe vdesin shqiptaret në burgjet e turpit.

KOMENTE