Tiranë, 17 Prill NOA - Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP) bëri sot të ditur se ka nënshkruar me Albanian Mobile Communications (AMC) marrëveshjen, e cila i jep kompanisë AMC atributet e partnerit zyrtar të dy sezoneve artistike, gjatë viteve 2009-2011.
Duke filluar nga muaji Mars 2009, aktivitetet që do të zhvillohen nga TKOBAP do të mbështeten në mënyrë ekskluzive nga AMC.
Kompania AMC, ka shprehur mendimin se Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është institucioni që mbledh artistët më të mirë shqiptarë.
 Orkestra, kori, baleti dhe gjithë personeli i tij sjellin për të apasionuarit tituj interesantë, larmi shfaqjesh e koncertesh.
Vetëm gjatë muajve në vazhdim janë planifikuar të ngjiten në skenë një numër veprash kombëtare, si dhe disa kryevepra botërore.
Këtu vlen të përmenden shfaqjet më të afërta:
"Die Schopfung" - (Krijimi), "Festivalin koncertor të majit në opera", operën "Falstaff" të Verdit, baletin "Rajmonda" & "Spartakus" e shumë të tjera.
Projekte të tilla ambicioze patjetër që kërkojnë edhe përkrahje të gjithanshme. AMC thotë se u tregua e gatshme të japë kontributin e saj që publikut shqiptar t'i vijë një kalendar vjetor i pasur në aktivitete.
Bashkëpunimi ekskluziv i Teatri Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor me AMC është një partneritet ku ndërthuren tradita e gjatë e institucionit kryesor të operës shqiptare me angazhimin e një kompanie të spikatur për kontributin e përhershëm për artin dhe kulturën në vend.
e.l/NOA