English

Vendimi, Qeveria karta falas për të gjithë qytetarët në nevojë

Tiranë 17 prill NOA - Vendimi i qeverisë për të kompensuar pagesën për pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë është bërë i ditur mesditën e sotme nga Zv.Ministri i Financave Sherefedin Shehu.

Me anë të një deklarate për shtyp Shehu shpjegoi vendimin e fundit të qeverisë, të ditës së mërkurë datë 15 prill 2009 "Për Kompensimin e Pagesës për Pajisjen me letërnjoftim të shtresave në nevojë".

"Me vendimin e fundit të qeverisë është bërë një ndryshim thelbësor i mënyrës së kompensimit dhe nuk ka më hapësirë edhe për spekulime politike lidhur me mospajisjen e shtetasve me letërnjoftim si rezultat i paaftësisë paguese të qytetarëve" u shpreh Shehu. Shehu e cilësoi një krijim artificial pretendimin për ekzistencën e një "takse vote" duke sqaruar se "që në fillimin e projektit qeveria përcaktoi skemën e rimbursimit dhe taksa është një pagesë e pakthyeshme dhe e pakompensueshme".

"Ndërkohë qeveria ka një skemë që pagesa është e kompensueshme për një pjesë të qytetarëve" - ka theksuar Shehu.

Ai sqaroi se përfituesit e këtij vendimi janë të gjithë paraplegjikët e tetraplegjikët, të dënuarit ose ata që ndodhen në paraburgim si dhe anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian, të cilët do të kompensohen plotësisht në masën 1200 lekë.

Gjithashtu do të do përfitojnë 1000 lekë kompensim të gjithë shtetasit që marrin pension minimal në fshat dhe në qytet, studentët, anëtarët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe të gjithë shtetasit që votojnë për herët të parë në zgjedhjet e 28 qershorit.

Kompesim në masën 700 lekë, 400 lekë dhe 200 lekë do të ketë edhe për disa kategori të tjera.

Zëvendësministri i Financave shpjegoi se kostoja e këtij vendimi sipas llogaritjeve paraprake është 5 milionë USD dhe do të mbulohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

"Në vendimin e Këshillit të Ministrave ne autorizojmë degët e thesarit që të bëjnë në mënyrë automatike avancimin e fondeve. Dhe nëse fondet janë të pamjaftueshme për institucionet që do ofrojnë këtë shërbim janë të autorizuar të bëjnë menjëherë kërkesë për shtesë fondesh pranë Ministrisë së Financave" - tha Shehu.

k.k/NOA

KOMENTE