English

Vështirë me shqiptarë

Arie Haan pranon se vetë e kishte marrë nismën për ndërprerjen e bashkëpunimit me FSHF-në. Sipas tij, në Shqipëri nuk kanë qenë të plotësuara as kushtet elementare për punë, duke përfshirë këtu edhe mungesën e ushqimit. Strategu holandez thotë se largimi i tij është zgjedhja më e mirë për të dyja palët

Â

Nga Valon Konushevci

Tiranë, 17 Prill NOA/E - Një ditë pas shkëputjes së kontratës ndërmjet trajnerit Arie Haan dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), tekniku holandez nuk ka folur aspak mirë për drejtuesit e futbollit shqiptar. Tashmë ish trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në futboll, Arie Haan, ka thënë se shkëputja e kontratës me FSHF-në ishte zgjedhja më e mirë për të dyja palët, e posaçërisht për të. Tekniku holandez ka pohuar se Shqipëria nuk ka qenë vend i përshtatshëm për ta ushtruar profesionin e tij. Për këtë arsye, Haan pohon se vetë e kishte marrë nismën e ndërprerjes së bashkëpunimit me FSHF-në. "Thjesht ne nuk përshtateshim me njëri-tjetrin. Ndeshjet mund të humben gjithmonë, por unë kam dashur të punoj në një mënyrë tjetër se sa që ka qenë e mundur në Shqipëri", ka thënë Haan për mediat holandeze. Madje Haan ka shtuar se në Shqipëri nuk kanë qenë të plotësuara as kushtet elementare për të punuar, përfshirë këtu mungesën edhe të ushqimit. Prandaj ai kishte vendosur të bisedojë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. "Atje asgjë nuk ka qenë në rregull. Stadiumin e kishim të mbyllur dhe duhej që ministri i Sportit të vijë dhe ta hapë atë. Për më tepër, atje nuk ka pasur as hotel të rregullt, sikurse që nuk ka pasur as ushqim e pije. Më shpesh e shihja vetën në pozitë të menaxherit sesa të trajnerit. Në fund ishte nismë e imja që të bisedoj me Armand Dukën. Ne shpejt arritëm në një konkluzion që më nuk është e arsyeshme për të vazhduar bashkë", ka theksuar Haan. Megjithatë, Haan pranon se nuk ka fituar ndeshje të mjaftueshme me Shqipërinë, por për këtë fajin ia hedh FSHF-së e cila, sipas Haanit, nuk kishte asnjë synim. "Ne nuk kemi fituar. E dija se në një vend siç është Shqipëria nuk është gjithçka e mundur. Por, megjithatë, unë kam punuar aty, ani pse FSHF-ja nuk kishte ndonjë synim. Në anën tjetër unë nuk kisha ndonjë ndikim, për shembull në krahasim me kohën time kur isha në Kinë", ka shtuar ai. Holandezi në krye të ekipit kuqezi kishte ardhur në fillim të vitit 2008. Ai në bankinën kuqezi zëvendësoi teknikun kroat Otto Bariç. Pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2010, Shqipëria e udhëhequr nga Arie Haan ka arritur t'i tubojë vetëm 6 pikë, duke u renditur e pesta në Grupin 1. Lala e ka mirëpritur vendimin Lajmi rreth shkëputjes së kontratës ndërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe trajnerit holandez, Arie Haan, është pritur mirë nga futbollistët e ekipit kombëtar të Shqipërisë. Ata janë të zhgënjyer me atë që ka bërë Haan me ekipin kuqezi. Zhgënjimi më i madh për ta është mbetja e Shqipërisë prapa Hungarisë, nga e cila kombëtare kuqezinjtë kanë pësuar humbje në shtëpi dhe si mysafirë të saj në kuadër të kualifikime për Botërorin 2010. Ndërsa objektiv i kombëtares shqiptare para fillimit të eliminatoreve ishte lënia e Hungarisë prapa saj. Kështu thotë edhe kapiteni i ekipit kuqezi, Altin Lala. "Vendimi i FSHF-së dhe i Arie Haanit për shkëputje të kontratës është një vendim i duhur. Haanin e fajësoj vetëm që nuk ia doli ta lërë Hungarinë mbrapa nesh. Kjo ka mundur të bëhet, kurse skuadrat e tjera të grupit normalisht që janë më cilësore sesa ekipi kombëtar i Shqipërisë", deklaroi Lala për Express, i cili tha se nëse FSHF-ja vendos për ta angazhuar një trajner tjetër të huaj, duhet të gjendet një njeri i atillë që e njeh mentalitetin shqiptar. Sipas mediave shqiptare, njëri ndër kandidatët më serioz për zëvendësimin e Haanit është edhe tekniku korat, Otto Bariç. Por, Bariç tani është 75 vjeçar dhe Lala thotë se mosha e vjetër e tij mund ta pengojë për ta ushtruar profesionin e tij. "Otto Bariç, para se të rikthehet në Shqipëri, duhet të bëjë një pasaportë false", tha Lala duke qeshur. "Vërtet Bariçi është një teknik i mirë, por ai është mbi 75 vjeçar. Nuk e di sa do të mund të punonte me ekipin kombëtar kur kemi parasysh këtë moshë të tij", theksoi Lala. "Trajneri i ri duhet të angazhohet kryesisht në aspektin e analizimit të cilësive të futbollistëve shqiptarë që luajnë brenda Shqipërisë dhe atyre që luajnë jashtë. Ai duhet të bëjë koordinim në të gjitha repartet dhe në funksionimin e ndërsjellë të tyre", shtoi Lala. FSHF kërkon trajner ballkanas Pasi ka përjashtuar sërish emrin e një trajneri shqiptar, sipas mediave shqiptare, FSHF-ja ka filluar të mendojë për pasardhësin e Arie Haan. Sipas tyre, zyrtarët e FSHF-së janë të interesuar ta gjejnë një trajner ballkanas më me përvojë, të cilit pritet t'i ofrohet një kontratë më afatgjate, përkatësisht për tri vitet e ardhshme.

Arsye për gjetjen e një trajneri nga Ballkani është se ai do të mund ta njohë më së miri mentalitetin shqiptar. Emrat e trajnerëve mungojnë, pasi të pakët janë ata që janë të lirë pa ekipe, e veçmas kur dihet se trajneri i ri i duhet përfaqësueses shqiptare përpara 6 qershorit, kur do të zhvillohet ndeshja e radhës me Portugalinë. Emrat më të përfolur në mediat shqiptare janë kroati Otto Bariç dhe slloveni Srecko Katanec, i cili ditë më parë ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit i Maqedonisë.

Publikuar nga "Express", Prishtinë

Â

KOMENTE