Tiranë, 17 Prill NOA - Gjykata e Rrethit të Tiranës ka caktuar sot masën e sigurisë "arrest me burg", për Fatmir Avdillarin, të njohur si "Xubi" i Yzberishtit.
I pandehuri ka deklaruar se e ka vrarë ai viktimën Ardian Tahiri, por nuk ka dhënë shpjegime të mëtejshme.
Burime nga gjykata treguan për NOA, se ka qenë prokurori ai që ka shpjeguar se vrasja ka ndodhur me paramendim, pasi i pandehuri dyshonte se viktima i kishte vrarë të vëllanë e tij, Fiqiriun në Greqi, kohë në të cilën ai ndodhej në qeli.
Pas dëgjimit të të dyja palëve gjykata ka vendosur të lërë në qeli deri në përfundim të hetime të pandehurin.
Ngjarja për të cilën akuzohet ‘Xubi" ka ndodhur në afërsi të "pallatit me shigjeta", para një lokali në të cilën viktima ishte duke dalë, javën e kaluar.
I njohur me nofkën "Xubi", Fatmir Avdillari ka treguar se e ka ndjekur për një javë rresht viktimën e tij Ardian Tahirin dhe e ka ekzekutuar me një plumb në kokë.
e.l/NOA