English

Berisha në Kinë, i ftuar nderi në Forumin Ekonomik të Azisë

Pekin, 18 Prill NOA - Kryeministri Sali Berisha mori pjesë si i ftuar nderi në pritjen e mirëseardhjes në hapje të forumit, në të cilën morën pjesë 12 liderët e shteteve dhe qeverive, të ftuar me këtë rast si dhe përfaqësues nga kompanitë më prestigjioze të botës në fusha të ndryshme.

Në këtë pritje, Berishës iu rezervua një vend special pranë Kryeministrit të Kinës, Wen Jiabao me të cilin Kryeministri Berisha do të takohet në Pekin në datën 20 prill.

Në Forumin Ekonomik të Azisë BOAO të këtij viti marrin pjesë 12 liderë dhe ish liderë të shquar në mes tyre ish Presidenti i SHBA, George W. Bush, ish Kryeministri i Japonisë, Fukuda Yasuo, Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Abishevich NAZARBAYEV, Presidenti i Myanmarit, Thein SEIN, Kryeministri i Mongolisë, S. BAYAR, Kryeministri i Finlandës, Matti VANHANEN, Kryeministri i Zelandë së Re, John KEY, Zëvendëspresidenti i Iranit, Parviz DAVOODI, Kryeministri i Vietnamit, NGUYEN Tan Dung, Kryeministri i Guinesë së Re, Michael SOMARE.Â

Gjithashtu në forum marrin pjesë drejtues të kompanive nga më prestigjiozet të rajonit dhe më gjerë si Google, Deloitte Touche, Microsoft, Tata Group, Ericsson, Royal Philips Electronics, Samsung, Toyota Motor Corporation, Këshilli Biznesit Malejzi-Kinë, etj si dhe grupe bankare të fuqishëm si Bank of America Merril Lynch, HSBC Bank, Banka për Zhvillim e Azisë, Korporata e Kinës për Investime etj.

Në panelet e këtij forumi, më prestigjiozi i rajonit me ekonominë ndër më të zhvilluarat në botë, u diskutua gjerësisht mbi menaxhimin e situatës pas krizës ekonomike botërore si dhe rrugët që duhen ndjekur dhe problematikat që duhen fokusuar.

Të pranishmit u ndalën në efektet e krizës ekonomike në Azi dhe hapat që rajoni duhet të ndërmarrë për të përballuar sfidat e ngritura prej saj, në mënyrë sa më efektive.

Pjesëmarrësit në Forum theksuan se kjo krizë, megjithëse një krizë nga më të mëdhatë në historinë e ekonomisë botërore, është edhe një faktor shprese për një të ardhme më të sigurt të tregjeve financiare dhe të ekonomisë botërore.

Ndër propozimet e bëra ishin forcimi i sistemit financiar të Breton Wood, krijimi i zonave të lira të tregtisë dhe lufta ndaj proteksionizmit.

Lidhur me këtë, Sekretari i Përgjithshëm i BOAO Forum, Long Yongtu, u shpreh në forum se kriza globale financiare është në qendër të vëmendjes për të gjithë, ndaj është më e rëndësishme se kurrë që liderët aziatikë dhe korporatat e mëdha industriale dhe financiare si dhe liderët e qeverive të bashkohen për të shkëmbyer ide dhe për të dalë me konkluzione dhe zgjidhje inovative në çështjet më parësore.

Fakti që 12 liderë nga rajoni dhe më gjerë janë këtu tregon shpirtin e vërtetë të bashkëpunimit si dhe rëndësinë e këtij forumi.Â

Forumi u përcoll me mjaft interes nga mediat më të mëdha ndërkombëtare si BBC World, CNBC, Wall street Journal dhe Blumberg. Â

Rreth Forumit

Forumi Ekonomik i Azisë BOAO u vendos si platformë ndërveprimi i nivelit të lartë ekonomik në vitin 2001, si një bashkëpunim mes liderëve jo vetëm të Azisë por të mbarë botës.

Themelimi i tij daton shtatorin e vitit 1998 nga ish Kryeministri i Australisë Bob Howke, ish Kryeministri i Japonisë, Morihiro Hosokawa dhe ish Presidenti i Filipineve, Fidel Ramos.

Më pas në vitin 2001 u vendos mbajtja e tij në BOAO, në provincën e Hinanit, qendër e madhe turistike, nga më prestigjiozet dhe elitare në Azi.

e.l/NOA

KOMENTE