English

Blushi, fermerëve të Korçës: Pas 28 qershorit nuk do t'i hidhni më prodhimet në lumë

Korçë 18 prill NOA - Deputeti dhe Anëtari i Kryesisë së PSSH, Ben Blushi dhe Nënsekretari për Koordinimin, Arben Ahmetaj kanë vazhduar takimet e tyre edhe sot në rrethinat e Korçës.

Ditën e sotme Blushi ka zhvilluar një takim me banorët e fshatit Progër në Korçë ku kanë prezantuar Programin e Ri Qeverisës të PS.

‘Bujqësia do të jetë një nga fushat ku do të ndërhyhet pas fitores në zgjedhjet e 28 Qershorit. Se me fitoren e Partisë Socialiste, gjendja në të gjithë fshatrat e Korçës, por edhe Shqipërisë, do të ndryshojë, pasi është gati programi, i cili ju vjen në ndihmë gjithë fermerëve dhe bujqërve, për të rritur prodhimet e tyre, që në të njëjtën kohë do të gjejnë tregun e përshtatshëm nëpër qytete" u shpreh Blushi.

"Rrugën tonë nga shtëpia apo nga puna për në qendrën  e votimit të dielën në 28 Qershor Sali Berisha i ka vënë një tra në mes, ky është trau i letërnjoftimeve. Varfëria nuk i lejon shumë njerëz të blejnë një letërnjoftim. Varfëria nuk i lejon shumë njerëz të fitojnë të drejtën e votës të cilën Kushtetuta ua jep. Kushtetuta ju jep të drejtën e votës, Sali Berisha e shtrenjton për ta penguar." shtoi më tej Ben Blushi.

Ndërsa Nënsekretari për Koordinimin, Arben Ahmetaj  në fjalën e tij është shprehur se "sot, më shumë se çdo herë tjetër, fshati është në një gjendje të mjerueshme, për shkak të politikave aspak favorizuese nga ana e qeverisë.

"Fermerët dhe bujqërit, detyrohen të hedhin në lumë apo të groposin prodhimet e tyre, për shkak se nuk arrijnë t'i nxjerrin dot në treg" u shpreh Ahmetaj.

k.k/NOA

KOMENTE