English

Dhunon forcat e policisë për të ndihmuar vëllain të arratiset, arrestohet vet

Gjirokastër 18 prill NOA - Kundërshton me dhunë dhe fyen forcat e policisë për të mos lejuar shoqërimin për në komisariat të vëllait të tij.

Ngjarja e cila ka për protagonist 31-vjeçarin Julian Jaçe ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:30 në banesën e tij në fshatin Stermbes të Përmetit, kur ai ka kundërshtuar me dhunë oficerët e Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Përsonit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Forcat e policisë kanë mbërritur në banesën e 31-vjeçarit Julian Jaçe, për të shoqëruar për në komisariat të policisë, vëllain e tij Tomor Jaçe.

Policia është përballur me 31-vjeçarin i cili në momentin që po kundërshtonte uniformat blu, Tomorr Jaçe është larguar me shpejtësi duke përfituar edhe nga errësira.

Burime zyrtare nga policia e Gjirokastrës thanë për agjencinë NOA se në vendngjarje mbërritën forca të tjera të policisë të cilët kanë bërë të mundur shoqërimin për në komisariat të Julian Jaçes dhe më pas arrestimin e tij në flagrancë për veprën penale të "Kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë" dhe "Fyerje për shkak të detyrës".

Sipas të njëjta burimeve Tomorr Jaçe do shoqërohej në komisariat pasi, rreth orës 15.00 të ditës së djeshme ka debatuar me bashkëfshatarin e tij me iniciale J.T, i cili po udhëtonte me motor.

Më pas Jaçe e ka kërcënuar se do ta vriste dhe e ka ndjekur nga mbrapa me makinën e tij për ta rrëzuar nga motori.

Ndërsa mëngjesin e sotëm policia ka bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin për në komisariat të Tomorr Jaçe, i cili ishte fshehur në pyll mbi fshat.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore Tomorr Jaçe është lënë i lirë dhe ndiqet në gjendje të lirë nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale të "Kanosjes ".

k.k/NOA

KOMENTE