English

Presidenti Topi, thirrje bashkatdhetarëve: Shkoni aplikoni për kartat e identitetit

Tiranë 18 prill NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka shprehur sot qëndrimin e tij sa i përket procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime në raport dhe me zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të datës 28 qershor 2009.

Prononcimi i Kryetarit të Shtetit erdhi në përfundim të veprimtarisë kulturore të organizuar sot nga Komuniteti Mysliman Shqiptar me rastin e ditëlindjes së Profetit Muhamed. Presidenti Topi iu përgjigj pyetjes nëse rrezikon që historia e certifikatave të përsëritet me kartat e identitetit, duke rrezikuar zgjedhjet dhe procesin e integrimit dhe nëse ka vend për një ndërhyrje nga ana e Presidentit të Republikës.

"Unë besoj që ka vend për angazhim, për preokupim, por nuk besoj që ka vend për pesimizëm. Unë jo vetëm me cilësinë e pozicionit që kam, por edhe në të kaluarën, kur kam qenë në një pozicion që më duhej të dialogoja, asnjëherë nuk hiqja dorë nga angazhimi i të gjithëve për të përmbyllur me sukses atë që konsiderohet më e rëndësishme për demokracinë shqiptare, zgjedhjet politike të 28 qershorit" u shpreh Topi.

"Kështu që unë i bëj thirrje edhe një herë dhe nuk do ta teproj duke bërë këtë thirrje. Të dashur bashkatdhetarë! Shkoni aplikoni! Aplikoni, sepse nuk është thjesht në funksion të zgjedhjeve, por për shumë, për shumë aksese që ju keni në administratë e mbi të gjitha për të respektuar vetveten. Secili duhet të identifikohet" shtoi kreu i shtetit.

Presidenti u bëri thirrje edhe partive politike. ‘Të gjithë duhet të sintonizohen në shqetësimin, të gjithë të kenë një zë, të gjithë t'u bëjnë thirrje përkrahësve të tyre, asaj pjese të popullsisë, që mund të jetë indiferente ndaj partive politike, t'u bëjnë thirrje që të shkojnë të aplikojnë dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë që zgjedhjet e 28 qershorit të jenë një ditë feste për Shqipërinë për demokracinë" shtoi Topi.

k.k/NOA

KOMENTE