Tiranë 18 prill NOA- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i ka dërguar sot një letër kryeministrit të vendit Sali Berisha subjekti i së cilës përqendrohej te kartat e identitetit që sipas Ramës është taks votë.
"Taksa e votës që qeveria juaj ka vendosur është jo vetëm arbitrare, por shkon kundër parimeve të shenjta të lirisë dhe cënon të drejtën themelore të njerëzve për të zgjedhur.
Te vendosësh një taksë për votën, do të thotë të njollosësh vendin tonë në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Asnjë qeveri e vendeve anëtare të Bashkimt Evropian, nuk i detyron shtetasit e saj të paguajnë për të pasur mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. Asnjë qytetar i vendeve anëtare të NATO-s nuk paguan për të votuar" shkruan në letër drejtuar kryeministrit, kreu i PS-së Edi Rama.
Në letër Rama vijon- "Taksa e votës, përcjell jo vetëm një frymë anti-demokratike në Shqipëri, por edhe një mesazh të gabuar tek partnerët tanë ndërkombëtar në këtë moment kaq të rëndësishëm, kur Shqipëria duhet të provojë me zgjedhje absolutisht të lira e të ndershme se e meriton besimin dhe mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme".
"Shqipëria, si një shtet anëtar në NATO dhe aspirues për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të respektojë qytetarët e saj dhe të drejtat e tyre. Kjo nyje duhet zgjidhur pa humbur kohë, që të kemi zgjedhje. Sot, më shumë se kurrë, është e nevojshme që qeveria shqiptare të marrë një vendim të drejtë, për të bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme" shkruan më tej Rama.
"Shtetasit e Republikës tonë nuk duhet të paguajnë për të qenë të lirë. Dëgjojeni Zoti Kryeministër sa s'është vonë zërin e arsyes së popullit sovran dhe adresojeni sa s'është kapërcyer kufiri i fundit kohor këtë problem, duke hequr taksën e votës e duke çliruar zgjedhjet nga zgjedha e pamundësisë ekonomike të qindra mijëra njerëzve për ta paguar këtë taksë absurde" përfundon letrën kreu i PS-së Edi Rama të cilën ia drejtoi kryeministrit Sali Berisha.
k.k/NOA