English

Rama në Cërrik: Të gjithë do të kenë shërbim shëndetësor edhe nëse s'janë të siguruar

Cërrik, 18 Prill NOA Foto update - Program i ri qeverisës i Partisë Socialiste është prezantuar edhe në qytetin e Cërrikut, nga Kryetari i Partisë Socialiste shoqëruar dhe nga hartuesit e këtij programi.

Duke u gjendur në një qytet të varfër sic është Cërrriku Rama është ndalur në kapitullin e cështjeve sociale.

Ai ka vënë theksin në domosdoshmërinë e nxitjes së punësimit, dhe nxjerrjen nga skema e vegjetimit dhe e varfërisë të të gjithë atyre që kanë vullnetin dhe janë të aftë të kontribuojnë me punë për shoqërinë dhe komunitetin.

Më tej ka cituar shifrat zyrtare se që një familje të jetojë normalisht, ka nevojë për 69 mijë lekë në muaj.

Këtu Rama i mëshoi faktit se një familje e varfër, e pa punë, në ndihmë ekonomike, merr vetëm 3 mijë e 500 lekë në muaj.

Ndaj paralajmëroi: "Ne nuk mund ta tolerojmë më tutje këtë situatë dhe do të bëjmë çmos që kjo situatë të ndryshoj, nga një lëmosh që i jepet për të gjithë atyre që janë të varfër e të papunë, ta kthejmë në një mundësi për punësim të të gjithë atyre që duan të jetojnë me punë të ndershme dhe janë të gatshëm që të kontribuojnë me punë për komunitetin dhe shoqërinë."

Duke shfletuar kapitullin e shëndetësisë Rama është ndalur tek pamundësia e gjysmës së popullsisë sot për sot për të siguruar shërbimin e duhur shëndetësor për shkak të mosqenies në skemën e sigurimeve shëndetësore.

Rama theksoi se të gjithë do të kenë mundësinë e shërbimit shëndetësor, pavarësisht nëse janë të siguruar apo jo.

"Më shumë se gjysma e popullsisë së vendit, për shkak të varfërisë dhe të pamundësisë për të paguar sigurimet shëndetësore, të jetë tërësisht e pambrojtur dhe ta ketë tërësisht të pamundur të marrë shërbimin shëndetësor. Ne për këtë arsye, do ta reformojmë rrënjësisht shërbimin shëndetësor, dhe nga një shërbim shëndetësor i mbështetur te sigurimet, do ta kthejmë në një shërbim shëndetësor universal, për të gjithë popullsinë. Në këtë mënyrë asnjë njeri në çfarëdo moshe, për shkak të varfërisë nuk do të mbetet pa shërbimin shëndetësor.", - premtoi kryetari i PS.

e.l/NOA

KOMENTE