English

Rrëfehet Ermira Babaliu: Unë, e para e videoklipeve në Shqipëri

INTERVISTA/ Ermira Babaliu: "Librat të mësojnë të thuash me vete, siç ka thënë i madhi filozof "Unë di një gjë, që nuk di asgjë". Dhe pohimi: "Kam realizuar albumin dhe videoklipin e parë shqiptar"

Dërguar nga: Albert Zholi

"Çfarë t'u them unë shoqeve", ishte këngë e guximshme për kohën

Ermira Babaliu dhe pse ka ikur para shumë vitesh nga Shqipëria me lotari në Amerikë, emri i saj përmendet jo vetëm mes njerëzve të artit, por edhe në debatet apo intervistat e këngëtarëve në emisionet televizive.

Ermira Babaliu ka lindur  në Korçë (pasi në shumë intervista citohet si vendlindje Pogradeci), por është rritur në Pogradec.

Shkollën e mesme të përgjithshme e kreu në Pogradec ku angazhohet në grupet artistike. Ishin këto vite të rinisë së bukur ku ra në sy zëri i saj melodioz dhe i veçantë. Jo vetëm një këngëtare e talentuar por dhe me një pamje të admirueshme, e qeshur, veshje plot sqimë, ajo  pranë Estradës së qytetit,  merr pjesë në variete të ndryshme si dhe në turne si brenda ashtu edhe jashtë rrethit duke lënë gjurmë të thella në skenat shqiptare.

Merr pjesë në Festivalin e Parë të Këngës në Pogradec dhe nderohet me Çmimin e Parë me këngën "Erdhi pranvera". Këtu fillon jeta e saj skenike.

Ndërsa si nuk pritej nga askush, studimet e larta i kryen në Universitetin e Tiranës në Degën Filozofi.

Ne studimet zëri i saj dëgjohet me po atë forcë dhe bukuri në festivalet e këngës në RTV, ku Ermira Babaliu vlerësohet dy herë rresht me çmime të treta, Festivali i 25-të dhe i 26-të, me këngët "Emri më i bukur njeri" dhe "Mbrëmja që mban dashurinë time", janë festivalet që e bën emrin e saj ndër më të pëlqyerit në të katër anët e atdheut. Â

Me çmim vlerësohet edhe me këngën tjetër, "Mbrëmja që mban dashurinë time". Më pas është shfaqur në publik sidomos nëpërmjet serenadave korçare, të bëra mjaft popullore dhe që ia shtuan adhurimin dhe famën sidomos gjatë 13 vjetëve emigrante në Amerikë. Ajo mbetet një këngëtare potente, plot freskie dinamizëm, e sinqertë atdhedashëse.

Diskografia

Albumet

Pres...

Serenata Korçare

Kur ti më mungon

Këngë/Hite te njohura

Provimi i fundit

Çfarë t'u them unë shoqeve

Këngë arbëreshe

Urim për ditëlindje

Emri më i bukur, njeri

Mbrëmja që mban dashurinë time

Â

Jeni pritur në Shqipëri me shumë entuziazëm dhe jeni  vlerësuar për kontributet që keni dhënë në muzikën shqiptare. Përgjithësisht ç'lidhje mban me Shqipërinë?

Përpiqem të ndjek ç'do gjë të rëndësishme që ndodh në atdhe me aq sa mundem dhe sa më lejon koha..Ndërkohë që flas po i mbaj lidhjet me miqtë e vjetër e të rinj.

Ju jeni rritur si pogradecare. Si perceptohet ky qytet në jetën tuaj aktuale. Çfarë ju lidh me të përveç kujtimeve dhe të kaluarës?

E kam mësuar veten të jetoj midis dy realiteteve njëkohësisht, atë aty dhe këtë këtu, pa diskutuar dhimbjen e pareshtur për të prekur të përditshmen e vendit tim. Arsye të shumëllojshme më bëjnë të ndihem mirë këtu ku jam,.ndërkohë që atje kam gjuhën, nënoken time, fisin (lidhje të cilat me konservatorizëm unë i respektoj), miqtë e vyer, e gjolin e dashur që më mungon fizikisht. Këtu kam një jetë më të qetë e paksa të vënë në shina, pas shumë përpjekjesh..e që së largu shijoj e shoh më me qetësi dhe e pavarur atë që më intereson më shumë për vendin tim në përgjithësi. Përpiqem të vendos një balancë midis këtyre dy jetëve që së fundi më ka qetësuar disi.

Duke qenë një këngëtare e suksesshme dhe duke qenë gjithnjë e azhornuar me tregun muzikor, cili është mendimi juaj për këngën shqiptare. A është duke u modernizuar ajo  dhe i plotëson kërkesat e zhvillimeve ku po futet  Shqipëria?

Nuk e di nëse mund të jap një mendim të saktë për këtë pasi s'mund të ndjek dot çdo aktivitet muzikor. Por duket që më në fund ka tendenca t'i rikthehemi vetes në muzikë, pa diskutuar që me patjetër duhet të rikthehet cilësia. Jam e gëzuar që do të jete festivali i Gjirokastrës sivjet. Do të kisha shumë dëshirë të ndodhem atje.

Si nisi rrugëtimi drejt këngës?

Për herë të parë kam kënduar në shkollën e mesme, Pogradec, në festivalin e qytetit (Pogradecit), Në vitet më pas vazhdoja të këndoja me estradën e Pogradecit. Kënga e Ilir Dangëllisë "Çfarë t'u them unë shoqeve",.në dekadën e majit1983, u pëlqye shumë sepse ishte nga të parat këngë me tekst vetëm lirik, e guximshme për kohën. Kjo këngë më bëri shumë shpejt të njohur. Në sa Festivale Kombëtare keni marrë pjesë? - Kam marrë pjesë në 10 festivale rresht. Pra prej vitit 1984 deri në vitin 1994, kam qenë e rregullt. Por vetëm e çmimet..Eh!!! Çmime të dyta apo të treta se isha nga rrethet....Shembulli më  i diskutuar në mos gaboj në vitin 1987 (kam qenë shumë e pavëmendshme me arkivin) ku  u bë për herë të parë festivali me juri që jepte pikët në një monitor të madh që ishte në sfond ku ne këndonim (ishte një nga "çuditë' e para të modernizimit të skenës kjo). Nejse, pikët maksimale ishin 100. Unë u paraqita me një këngë të Flamur Shehut "Një jetë nga jeta ime".. mu dhanë 100 pikë..dhe fitova çmim ....të dytë. Të parin e morën motrat Libohova me 98 pikë. Kënga e tyre ishte e kompozitorit Agim Krajka.

-Si përmbledhje..?

Midis viteve 1985-95, ka qenë një periudhë e pandërprerë koncertesh, pothuajse në të gjitha aktivitetet më të mëdha që organizoheshin në rang kombëtar, që nga muzika e lehtë e deri në natën finale në maratonën e këngës popullore "12 në Hollivud". Ndërkohë që filloi tregu privat dhe në muzikë..e mbas '90, të parin album privat e të parat videoklipe kanë qenë të miat. Serenatat i vunë pikën e fundit afirmimit tim, duke ja lënë vendin pas vitit 1996, emigracionit dhe këngës në Amerikë.

Vetë ju personalisht a po punoni për një album tuajin të ri? Apo më duket se po shkruani një libër?

Kam filluar punën për një album të ri. Më duhet të jetë ndryshe, pasi s'ka rrugë tjetër. Prandaj nuk nxitoj. Nuk më shqetëson numri i albumeve të mia, por cilësia e kontributi. Ndërkohë mërzitem kur këngët që unë sjell, transformohen duke përcjellë mesazhe të gabuara si p.sh "verashitësi" një këngë shumë e bukur nga muzika e lehtë kosovare, të cilën unë e solla në formën time në një nga koncertet e para të serenatave mbas viteve '90, vargun më të bukur.."në gaz hidhërimin do ta kthej", .kush e këndoi më pas e deformoi në "..se jam korçare e do ta dredh". Vazhdoje ti i dashur mik, komento shijen, efektin që jep mesazhi i transformuar në këtë formë. Do të isha shumë e gëzuar sikur në Shqipëri të ekzistonte kritika e shkruar dhe për muzikën. Do ta ndihmonte shumë kulturën muzikore. Nëse ka filluar dhe unë s'i di ...tërhiqem. Sa për libër, s'më duket që jam aq e mençur

Kush janë këngëtaret tuaj të preferuara në botë dhe ato shqiptare? Më pëlqejnë këngëtaret që sjellin profesionalizëm, ndjenjë e mesazhe në të gjitha zhanret e muzikës. Si dhe liria që ndjehet tek gypsit...më kujtojnë veten (mos qesh me lajthitjet e mia...nëse do të vërtetën) Nga bota ka shumë gjithashtu.

A do të ketë një kthim tuajin në muzikën shqiptare  apo thjesht i jeni përkushtuar projekteve të ndryshme muzikore në Amerikë? Kam shumë dëshirë të rikthehem. Në vazhdim mund të them se edhe në Amerikë kam projekte shqiptare të realizuara por dhe të ideuara.

Ju keni emigruar prej shume vitesh në Amerikë. A mund ta përshkruajmë pak me detaje jetën tuaj. Periudhën kur ju studiuat për kozmetologji, më pas për mësuesi, periudhën kur e latë profesionin e mësueses dhe u morët me projekte muzikore, spektakle e shumë evenimente te tjera? - Pak detaje nga jeta ime i thashë më lart Në fillim ndoqa një shkollë për mësimin e anglishtes dhe më pas vazhdova një kolegj për kozmetollogji. Kjo më ndihmoi për të marrë një licencë që më hiqte stresin e anës ekonomike edhe nga ana tjetër më ndihmoi shumë për të mësuar mirë anglishten. Më vonë punova si parrukiere një vit. E ndjeva veten shumë keq sepse m'u duk sikur mund të bëja më shumë. Mësova pastaj që përkthehej diploma dhe të njiheshin kreditet e universitetit që unë kam mbaruar këtu për filozofi. Bëra ndërkohë dhe dy shkolla me korrespodencë për t'u njohur me sistemin mësimdhënës atje. Faktikisht bëra dy intervista dhe fitova për t'u futur si teknike për gjuhën e dytë.. Sa më shumë që i futem anglishtes, aq më pak me duket se di. Mbase kështu u ndodh të gjithëve. Një nga aktivitetet tuaja më të pëlqyera janë dhe kontributet që jepni për shqiptarët në emigracion. me shënimet tuaja, bashkëpjesëmarrjet në debate publike ku zëri juaj spikat. Ju keni studiuar për shkencat e filozofisë? Sa ju ka ndihmuar filozofia të bëheni kjo që jeni sot? Po e nis me një thënie të A.Linkolnit "Nëse më duhen tetë orë për të prerë, copëtuar një pemë, do të më marrë gjashtë orë të mpreh sëpatën " ....duke mos harruar, se sapo hap sytë kam përpara 24 orë kaq minuta e miliona sekonda, që më duhet ti shfrytëzoj maksimalisht, dhe e kam shkruar diku,.e marr jetën si më vjen,.ndërkohë që i" krijoj" ditët e mia. Kjo jam unë, megjithë kokëkrisjen time. Kam dhe paradokse në karakter, thua të jem kjo si efekt i filozofisë???....

Një nga dashuritë tuaja më të mëdha është libri. Çfarë po lexoni aktualisht? Ah librat...Më del kjo intervistë? Po përpiqem të dukem e mençur??  hahaha...Jam e bindur i dashur mik se e kupton shumë më mirë se unë, se pikërisht librat të mësojnë të thuash me vete, siç ka thënë i madhi filozof: "Unë di një gjë, që nuk di asgjë". Po lexoj "Esse lirike e kritike" të Kamysë. Cilat janë projektet tuaja të ardhshme? Kur do vini në Shqipëri? Planifikoj të jem në Shqipëri gjithë verën. A nuk ja vlen të jesh në këtë stinë në vendin tonë, ku liqenet dhe detet kanë jo vetëm kaltërsi, por edhe aromë, zhurmë, lëvizje të pashtershme. Vera shqiptare është si shija e verës (pijes) franceze. Kush e ka shijuar dhe nuk është mrekulluar

A keni ndonjë peng në jetën tuaj? S'më kujtohet tani. Por, kam "pengje" për të ardhmen. E ardhmja është pjesë e fantazisë së një mendimi të ideuar në mënyrë specifike. Brenda këtyre ideve besoj gjenden pengjet.

Ç'mendim keni për politikën shqiptare. Nëse do ju propozonin a do merreshit ndonjëherë me politike? Nëse do të ndryshojë "SITA" e përzgjedhjes dhe nëse do të gjykohesha si e aftë për të tilla sakrifica, mbase po. Sepse të them të drejtën kam një eksperiencë tepër të hidhur nga vitet e para të tentativës time për t'u përfshirë në të. Atëherë në '90. Megjithëse ajo që mua më intereson më shumë në këtë moment është ecuria e shoqërisë civile...civilizimi i mentalitetit, si një nga hapat më të rëndësishme për t'u rritur si komb.

Ndoshta kjo lloj jete ju ka shmangur paksa nga skena? Aq sa ja lejoj unë vetes. Nuk kam atë intensitet si vitet e para. Por kam angazhime të tjera po aq të mëdha.

Â

Serenatat

Në Korçë kur u zhvilluan për herë të parë serenatat unë mora këndoj "Lulen e Majit". Aty kënduan dhe shumë korçarë, amatorë, shume bukur ....Por, vinte Lulja Majit, që publiku "theu karriget" nga të çuarit në këmbë dhe nga duartrokitjet. Mirëpo dhe këtu pas shumë lavdërimesh, zyrtarisht mora çmim të tretë  Sepse...unë s'isha nga Korça. Tani këtu mund të them qe u zhgënjeva, por kemi qeshur për shumë kohë me miqtë e mi me këtë ndodhi, se ishte një shkak pa bazë sepse unë kam lindur në Korçë, gjyshi im ka qenë një nga mjekët e parë pediatër atje, prindërit pas disa vjetësh u transferuan e unë u rrita në Pogradec ..për t'u rikthyer në Korçë kur u martova. U largova nga Shqipëria 1996. Paraqitja ime e fundit në festivalin Kombëtar ishte në vitin 1995, e këngën e Ilir Dangellisë "E njëjta ëndërr", e cila shënoi një nga kulmet e mia.

Â

Zhgënjimet Nuk mund të them se kam patur zhgënjime pasi kam qenë me këmbë në tokë dhe sidomos fakti që kënga ishte një nga hobet e mia, fakti që unë këndoja vetëm për kënaqësi..nuk më ka lejuar të mërzitem edhe kur nuk kam marrë atë që kam merituar. Në këtë rast më shumë mërziteshin fansat e mijë..

KOMENTE