English

Shtien me armë në lokal, kapen pas panikut të krijuar dy djemtë shkodranë

Shkodër, 18 prill NOA - Dy djem shkodranë kanë ngjallur panik në mes të një lokali dhe mjediset përreth tij pasi njëri prej tyre hapi zjarr me armë, në rrethana që ende po hetohen për t'u zbardhur.

Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA informon se ngjarja ka ndodhur në një lokal privat në fshatin Beltojë të Shkodrës.

Të arrestuar janë Luan Nika, 32 vjeç, lindur e banues në fshatin Lepurush, Komuna Gruemirë të rrethit Malësi e Madhe dhe Taulant Hoti, 21 vjeç, lindur e banues në fshatin Shtoj i Ri, të rrethit Shkodër.

Nga hetimi doli se ka qenë 21-vjeçari Taulant Hoti, që rreth orës 00.30 të ditës së Shtunë, ka shtënë në ajër me një armë zjarri pistolete tip TT, të cilën e mbante pa leje shoku i tij, Luan Nika.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka gjetur e bllokuar dy gëzhoja, si dhe u sekuestrua arma e zjarrit së bashku me një fishek.

Tani dy të rinjtë Nika dhe Hoti akuzohen për veprat penale të "Prishjes se rendit dhe qetësisë publike" dhe"Armëmbajtje pa leje".

r.d/NOA

KOMENTE