English

Sulmohet me armë zjarri një patrullë policore nuk ka të lënduar

Leposaviq, 18 prill, NOA - Një patrullë policore e stacionit Leposaviq, sulmohet me armë zjarri nga tre persona të panjohur dhe të armatosur në rrugën magjistrale Mitrovicë - Leposaviq, përkatësisht në fshatin Kamenicë, të Leposaviqit.

Rasti është raportuar të ketë ndodhur rreth dhjetë minuta pas mesnate të ditës së shtunë, në kohën kur njësiti patrullues i stacionit Leposaviq po kryente detyrat e rregullta policore të parapara me planin e veprimit për kontroll të rrugës magjistrale, tregoi sot se Njësiti patrullues i policisë së Kosovës, ka vërejtur një traktor, pa shenja ndriçimi, i cili po bënte kyçje në rrugën magjistrale nga rruga dytësore e fshatit Kamenicë të Leposaviqit.

Zyrtarët policorë janë ndalur për të bërë verifikimin e traktorit dhe tre personave të cilët gjendeshin në traktor.

Në momentin kur zyrtarët policor kanë tentuar të ndalin traktorin, nga prapa janë dëgjuar disa të shtëna në drejtim të automjetit policor, ndërsa tre të dyshuarit ende të panjohur, kanë braktisur traktorin duke ikur në drejtim të panjohur.

Automjeti zyrtar i policisë së Kosovës, "KIA Sorento", si rezultat i të shtënave me armë zjarri, ka pësuar dëme materiale në xhamin e prapmë të automjetit, si dhe në xhamin dhe derën e krahut të djathtë të automjetit. Nuk është raportuar për të lënduar në njerëz.

Në vend ngjarje të këtij akti kriminal, janë paraqitur edhe hetuesit policor së bashku me teknikët e kriminalistikës të cilët kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes.

Si pjesë e provave materiale, policia ka gjetur dhe marrë shtatë gëzhoja të kalibrit 7.62mm, të cilat besohet se janë përdorur nga të dyshuarit në këtë rast.

Policia ka verifikuar të dhënat e traktorit të braktisur nga të dyshuarit, dhe ka identifikuar të njëjtin si të vjedhur gjatë natës në shtëpinë e një 52 vjeçari, banor i fshatit Kamenicë, të Leposaviqit.

Në lidhje me rastin, policia e Kosovës e stacionit Leposaviq, ka kërkuar ndihmën e bashkëpunimit me njësitë policore të stacionit jugor në Mitrovicë, për të zgjeruar fushën e hetimeve në kërkim të dyshuarve të mundshëm.

Një njësi patrulluese e stacionit jugor në Mitrovicë, ka asistuar stacionin policor të Leposaviqit, në patrullim të zonave të fshatrave Koshtovë, Bistricë dhe Cerajë.

Veç rastit të iniciuar si vepër penale "Vrasje e rëndë në tentativë" policia ka regjistruar edhe rastin e veprës penale të vjedhjes së traktorit.

a.b/NOA

KOMENTE