English

Frattini: Shqipëria është gati që të hyjë lirisht në BE brenda vitit në vazhdim

Tiranë, 19 Prill NOA - Në një intervistë që i ka dhënë gazetarit Blendi Fevziu për televizionin Klan, z.Fratini ndalet në dy temat më të debatuara kohët e fundit në Shqipëri, aplikimin për vend kandidat për anëtar të BE dhe liberalizimin e vizave.

Më poshtë ndiqni intervistën e plotë:

Z. Fratini. Ju i keni kushtuar shumë kohë Shqipërisë në Komisionin Evropian të Helsinkit por edhe këtu në Itali. Pyetja ime e parë ka të bëjë me liberalizimin e vizave si një temë e prekshme për shqiptarët.

Ju keni qenë nga më entuziastët në këtë drejtim. Keni deklaruar në Shqipëri se brenda vitit 2009 shqiptarët mund të marrin një anije nga Durrësi dhe të shkojnë në Bari pa vizë, por mua m'u desh viza, për të ardhur këtu.

Sigurisht, por unë shpresoj se kjo gjë do të mbarojë shumë shpejt. Mendoj se brenda dhjetorit të këtij viti kjo do të mbarojë dhe do të ndryshojë mekanizmi për t'i lejuar shqiptarët që të lëvizin pa vizë. Ka disa procedura, disa janë detyra teknike. Qeveria shqiptare po pajis qytetarët me pasaporta biometrike. Është një çështje e rëndësishme ajo e kontrollit të kufijve, të emigracionit të paligjshëm. Më pas duhet marrë një vendim në bazë të raportit të Komisionit Evropian. Unë i kam bërë një kërkesë Komisionit Evropian e cila është mbështetur nga vende të tjera të BE-së, që të kemi brenda muajit Maj të këtij viti, raportin e Komisionit Evropian për secilin nga vendet. Meqenëse unë e di që Shqipëria ka hedhur hapa shumë të rëndësishëm, pres që raporti të jetë pozitiv. Nëse raporti është pozitiv, nga maji në dhjetor kemi kohë për të përfunduar dosjen.

Detyra ndaj qeverisë shqiptare për pajisjen me pasaporta biometrike, mjafton për këtë proces?

Mendoj se po. Nëse ka një vullnet politik, si ai që kisha unë kur isha zëvendëspresident i Komisionit Evropian, dosja mund të plotësohet. Nuk ka kundërshtime politike, edhe pse është një kompetencë e KE-së që vendet anëtare po e inkurajojnë.

Kjo do të thotë se brenda dhjetorit Komisioni Evropian mund të marrë një vendim për liberalizimin e vizave?

Mendoj se kushtet janë të përshtatshme. Jo vetëm mundet, nga ana ligjore, por ekzistojnë edhe arsyet themelore për ta marrë këtë vendim.

Cilat janë këto arsye?

Arsyet që Shqipëria i ka plotësuar kushtet e përshkruara. Kontrollin e sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar, pasaportat biometrike, si dhe ka realizuar luftën kundër emigracionit klandestin. Ne si Itali kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Shqipërinë në luftën kundër trafiqeve: trafikut të drogës, të qenieve njerëzore, të krimit të organizuar të cilët kanë qenë gjithmonë problem, por tani nuk janë më. Në Itali janë 440 mijë shqiptarë që janë integruar më së miri dhe nuk krijojnë asnjë problem.

Ju thatë se Shqipëria ka bërë hapa para. Doni të thoni se imazhi i shqiptarëve ka ndryshuar?

Vendi juaj ka bërë një hap përpara drejt BE-së dhe ka arritur një rezultat historik me hyrjen në NATO. Ne pamë kryeministrin Sali Berisha, qeverinë shqiptare, të pranishme në takimin e nivelit të lartë në NATO. Ka qenë një rezultat të cilit Italia i ka dhënë një mbështetje të madhe që në fillim. Kjo e ndihmon shumë imazhin e Shqipërisë. Për Italinë më parë Shqipëria ishte një vend nga i cili vinin përditë klandestinë me gomone. Tani asnjë s'e kujton këtë gjë.

Ka gjithmonë një skepticizëm për aplikimin e Shqipërisë, për statusin e kandidatit për në BE. Cili është opinioni juaj?

Mendoj se do të jetë e rëndësishme të vlerësohet kërkesa e Shqipërisë pasi ajo ta paraqesë atë, sepse s'është paraqitur ende formalisht. Por kërkesa duhet të përparojë.

Kryeministri shqiptar ka thënë se do ta paraqesë kërkesën zyrtarisht, gjatë presidencës së Çekisë...

Mendoj se është e drejtë të bëhet. Është një procedurë që parashikon në fillim një fazë të parë ekzaminimi nga Komisioni Evropian. Unë besoj se me t'u paraqitur kërkesa për aderim, Komisioni Evropian duhet ta vlerësojë, pa vonesë. Më pas, është e qartë që duhet të fillojë një fazë shumë e gjatë negocimesh, kapitull për kapitull, dhe nëse Shqipëria do të anëtarësohet në BE, kjo do të varet nga meritat e Shqipërisë. Ne s'kemi dubble standarts, por s'mund të bllokohet një kërkesë për aderim.

Problemi është se po të kthehemi prapa në kohë, Shqipëria nuk është trajtuar si shtetet e tjera ish-komuniste, por si vendet e ish-Jugosllavisë që kanë qenë në një luftë pothuajse dhjetëvjeçare. Pse Shqipëria është lënë mënjanë nga vendet si për shembull, Bullgaria, Rumania të cilët kanë qenë po ashtu shtete ish-komuniste?

Kjo është një vonesë, që sipas mendimit tim Shqipëria duhet dhe mund ta rikuperojë. Vonesa mendoj se ka të bëjë me ndodhitë e fundit të viteve ‘90, kur ishte ai fluks i madh emigrantësh klandestinë, kur kishte probleme me magjistraturën italiane për të luftuar krimin e organizuar. Duket qartë që kjo s'ekziston më. Pra, unë mendoj se vonesa e akumuluar mund të rikuperohet. Ja se pse unë mendoj se nuk ka një paketë vendesh të Ballkanit perëndimor. Çdo vend duhet vlerësuar për meritat e veta. Ky është problemi.

Nga ana tjetër ju keni paraqitur një plan për Ballkanin. Ku konsiston ky plan?

Ne kemi menduar se ndoshta është koha për të dhënë afate precize. Kur kam folur për plane rreth Ballkanit, kam thënë se çdo vend i atij rajoni ka të drejtë të ketë një perspektivë kohe të sigurt. Atëherë unë kam thënë liberalizim vizash dhe kam shtuar një datë, fundin e këtij viti. Kur them Kroaci, them se aderimi i Kroacisë bëhet brenda vitit 2010. Kur flitet për një kërkesë për aderim të Shqipërisë, analiza e kërkesës, bëhet vitin e ardhshëm. Sepse nëse unë bëj një kërkesë sivjet, duhen ndjekur disa procedura që kërkojnë kohë. Por gjithsesi, statusi për vendin kandidat është një vendim që s'merret pas 10 vjetësh, por brenda 2010-ës. Nëse vendimi do të jetë pozitiv apo negativ, varet nga Shqipëria, nga fakti nëse ka apo jo standarde evropiane për të nisur negocimin. Por, vendimi për t'i dhënë popullit shqiptar një perspektivë të qartë unë kam paraqitur një plan dhe një propozim që shumë vende dhe ia kam paraqitur znj.Klinton të SHBA-së, e cila ishte shumë e kënaqur për një ide strategjike mbi vendet e Ballkanit perëndimor.

Nëse gjithçka shkon mirë dhe Shqipëria vazhdon kështu, kur mund të bëhet pjesëtare me të drejta të plota e BE-së?

S'do të ishte e ndershme të thuhej nga një mik i Shqipërisë. Unë jam mik i Shqipërisë dhe s'do të tregohesha i sinqertë nëse do të thoja se do të anëtarësohet në 2012, 2013, 2011. Do të bëhet anëtare kur të arrijë të gjithë parametrat që do të jenë të nevojshme për të hyrë në Evropë. E vetmja gjë që mund të them është se, për sa i përket Italisë, asnjë nuk do ta trajtojë më keq Shqipërinë se vendet e tjera aspiruese. Do të bëhet një vlerësim njësoj si ai që kemi bërë për Bullgarinë, Rumaninë apo që po bëjmë më Kroacinë.

Tek plani që ju keni paraqitur për Ballkanin, në pikën 8, flitet për një samit të BE me vendet ballkanike dhe me pjesëmarrjen e SHBA-së. Ekziston mundësia që një samit i tillë të organizohet në Shqipëri?

S'e di. Do të varet nga presidenca e radhës, pra ajo spanjolle. Mendoj se do të ishte i rëndësishëm fakti nëse do të bëhet ky samit. Sepse në vitin 2010 do të jetë një përvjetor i rëndësishëm. Do të bëhen 10 vjet nga fillimi i procesit me Konferencën e Zagrebit që nisi fazën e rindërtimit të Ballkanit. S'e di nëse presidenca spanjolle do të dojë ta bëjë në Ballkan apo në Madrid, në Spanjë. Mendoj se e rëndësishme është që ky samit të bëhet me krerët e shteteve.

Kalojmë në një argument ekonomik. Dëgjohen zëra që thonë se prania ekonomike italiane në Shqipëri nuk është e mjaftueshme. Le të themi se Italia s'është më aq e pranishme sa në fillim të viteve ‘90.

Ne duam të bëjmë shumë më tepër. Vizita e fundit e kryeministrit Berluskoni në Tiranë, tregon se ne jemi gati të bëjmë shumë më tepër me Shqipërinë, për shembull në infrastrukturë dhe në bashkëpunimin për energjinë. Gjithashtu jemi shumë të interesuar për zhvillimin e energjisë bërthamore. Ky është një interes i Italisë. E dimë që edhe Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë me disa projekte strategjike të cilët janë projekte shumë të rëndësishëm edhe nga ana ekonomike. Dua të them se sot Italia përfaqëson mëse 35% të të gjithë ndërkëmbimit të Shqipërisë me vendet e tjera. Pra kemi një rol të rëndësishëm. Sigurisht, mund të bëjmë më shumë.

Po ideja e energjisë bërthamore?

Kjo është një ide që na intereson shumë, sepse Italia po ribën një strategji për ndërtimin e centraleve bërthamore. Po bisedojmë me një vend mik dhe fqinj si Shqipëria për të bashkëpunuar për këtë gjë, sigurisht të bazuar në teknologjinë e fundit bërthamore, që është teknologji shumë e sigurt.

Është një projekt mund të zhvillohet?Â

Po e vlerësojmë, po arsyetojmë. Di që janë bërë disa kontakte me ENEL-in, që është shoqëria e interesuar për këtë dhe kryeministri Berluskoni iu referua kësaj ideje në Tiranë.

I nderuar z.Fratini, Kosova është një nga çështje kryesore të Shqipërisë por edhe të BE-së. Si mendoni se po shkojnë punët me Kosovën?

Mendoj se misioni EULEX ka nisur të funksionojë. Jam shumë i kënaqur edhe për mënyrën se si komuniteti ndërkombëtar po e ruan unitetin e tij. Edhe BE-ja ka konfirmuar shumë qartë se zgjedhja e Kosovës është një zgjedhje e rëndësishme. Italia e ka njohur Kosovën si shtet. Jo të gjithë shtetet evropiane e kanë bërë këtë, por është ende e nevojshme një hap i madh cilësie ekonomik. Problemi i vërtetë i Kosovës është që ka ndikim mbi sigurinë dhe vonesa ekonomike. Kosova duhet ndihmuar për t'u zhvilluar, duhen mbajtur kushtet e sigurisë. Unë nuk jam pro çangazhimit të papritur nga Kosova, sepse ka disa zona të banuara nga minoritete, si ai serb për shembull, të cilët duhen siguruar. BE-ja duhet të luajë një rol të rëndësishëm për të ruajtur ekuilibrin mes popullsisë shqiptare dhe asaj serbe.

Shqipëria po ndërton një rrugë që e lidh atë me Prishtinën. Mund të ndikojë kjo gjë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, sidomos për praninë e investimeve dhe tregtisë italiane?

Kjo gjë është shumë e rëndësishme. Ndërtimi i rrugëve është një nga elementët që i hap rrugë investimeve italiane në Kosovë.

Nëse vitin tjetër do të më duhet të vij sërish për një intervistë, pa vizë do të vij?

Uroj që po. Për sa ka në dorë, Italia them se po.

FUND

KOMENTE