Pekin, 19 prill NOA - Kryeministri Sali Berisha vizitoi sot selinë qendrore të kompanisë ZTE një nga kompanitë më të mëdha në botë për prodhimet e telefonisë, telekomunikacionit dhe rrjeteve ndërlidhëse me xhiro vjetore prej 4 miliardë dollarë. Prodhimet e kësaj kompanie mbulojnë të gjithë gamën e prodhimit që nga fibrat optike, prodhimet e wireless, shërbimet e telefonisë fikse dhe celulare si dhe tregun e terminaleve.
President i Bordit të Kompanisë ZTE, Zhu Jinyan, gjatë takimit i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen e thellë për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.
Ai u shpreh se ZTE ka ruajtur nivelin e rritjes vjetore prej 30 % edhe në kushtet e krizës ekonomike botërore si pasojë e politikave të rezervave të mëdha likuide të kompanisë.
Jinyan tha se ZTE është e nderuar që ka hapur një filial në Tiranë dhe ka patur bashkëpunim të shkëlqyer me qeverinë dhe me Kryeministrin Berisha për projektin e saj të ADSL-së me kompaninë Albtelecom, faza e parë e së cilës është kompletuar dhe së shpejti do fillojë faza e dytë.
Z. Jinyan shprehu gatishmërinë e kompanisë që drejton për të investuar edhe më tej në tregun shqiptar në mënyrë që të ofrojë shërbime më të mira me kosto më të ulët për konsumatorin shqiptar. Gjithashtu ai theksoi se pozicioni shumë i favorshëm gjeografik e bën Shqipërinë një vend shumë të mirë për tu shndërruar në qendër të kërkimeve dhe prodhimit të teknologjisë së lartë për rajonin dhe mbarë Europën.
Ai shprehu interesin e madh të kompanisë së tij për të përfituar nga oferta e Kryeministrit Berisha për një zonë të lirë ekonomike për zhvillimin e teknologjisë së lartë për ta shndërruar Shqipërinë në një lider rajonal në këtë drejtim. Nga ana e tij Berisha i bëri të qartë Presidentit të Bordit të kompanisë ZTE se qeveria ime dhe unë do të bëjmë çdo përpjekje për të mbështetur përpjekjet tuaja për të qenë të suksesshëm në Shqipëri dhe ne rajon.
Kurse shtoi: "Jemi gati t'u ofrojmë çdo lehtësi, qendra shpërndarjeje, qendra prodhimi, qendra kërkimore e çdo aktivitet ekonomik në Shqipëri", - theksoi Berisha.
"Shpresoj që ZTE do ta konsiderojë seriozisht mundësinë për të përfituar nga kjo zonë ekonomike dhe do të zgjerojë aktivitetin e saj ekonomik në Shqipëri", u shpreh Kryeministri, kurse iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Presidentit të ZTE për ti shprehur Presidentit Hu Jintao dhe Kryeministrit Wen Jiabao interesin e ZTE për të investuar në Shqipëri.
Rreth ZTE
ZTE është një nga kompanitë e telekomunikacionit me rritjen më të shpejtë në botë, me një rritje vjetore prej rreth 30 %. Rreth 10 % e të ardhurave të kësaj kompanie shpenzohen për aktivitet kërkimor çka e vendos ZTE si një ndër kompanitë me teknologjinë më të zhvilluar në botë.
Ajo ka partneritete me 500 operatorë telefonikë në 120 vende të botës. Gjithashtu ZTE po zgjeron aktivitetin e saj nëpër botë me një rritje ndërkombëtare prej 44 % në 2006 si dhe me qendra kërkimore rajonale në 22 vende të botës përfshi Suedinë, Francën Pakistanin, SHBA-në etj. Kompania ka mbi 40 000 inxhinierë nga të cilët mbi 4000 me master.
e.l/NOA