English

Ndihmoi një çift të kalonin ilegalisht kufirin kundrejt parave, prangoset 36-vjeçari

Gjirokastër 19 prill NOA - Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga sot një 36-vjeçar pasi ka ndihmuar një çift të kalonte ilegalisht kufirin.

Gazmend Dybeku, banues në Berat është ndaluar nga policia e cila pas hetimeve ka zbuluar se ai ka ndihmuar një çift nga Fieri për të kaluar kufirin për në Greqi në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit prej 400 euro për person.

Sipas policisë më datë 17 prill të këtij viti Dybeku ka ndihmuar çiftin duke i kaluar ata nga fshati Biovizhdë të rrethit Përmet, që ndodhet në afërsi të vijës kufitare me Greqinë .

Çifti nga Fieri së bashku me 36-vjeçarin Gazmend Dybeku janë kapur nga policia greke në territorin e saj dhe janë kthyer si deportivë në Pikën Kufitare Tre-Urat, Çarshovë.

Ndërkohë pas interesimi nga ana e Specialistëve për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër, rezultoi se Gazmend Dybeku i kishte ndihmuar dy personat nga Fieri për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit.

Ndaj 36-vjeçarit u mor masa e ndalimit për veprën penale të "Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit".

k.k/NOA

KOMENTE