English

PLL: "Taksa e votës" është përralla e radhës e së majtës

Tiranë, 20 prill NOA - Partia e Legalitetit vlerëson se në një kohë kur Shqipëria po konsolidon në mënyrë të vazhdueshme demokracinë dhe po ecën e sigurt në plotësimin e standardeve edhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, opozita e majtë po përpiqet në mënyrë spekulative që të ngrejë një furtunë në gotë dhe ta paraqesë procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti si një "taksë ndaj votës".

Kryetari i PLL, Ekrem Spahiu, në një dalje për mediat tha se "në procesin e turpshëm të njollosjes së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit ende pa ardhur dita e votimit dhe kur të gjitha premisat janë se ato do të realizohen të lira dhe të ndershme, opozita e majtë harron se është pikërisht kjo maxhorancë e djathtë ajo që në vitin 1991 rikthehu në Shqipëri votën e lirë për të gjithë shqiptarët".

Në këtë kuptim, - vijoi Spahiu, të majtët mund të bëhen avokatë të gjithkujt, por kurrsesi avokatë të votës së lirë, të cilën ato e kanë mohuar për 45 vjet.

"Opozita e majtë duhet të ndjehet fatlume që askush deri më sot nuk i ka kërkuar asaj që të shpaguajë "taksën e gjakut" që ka qenë një taksë e vërtetë të cilën shqiptarët kanë paguar për votën e lirë gjatë regjimit komunist", - theksoi Spahiu.

Sipas tij, "Taksa e votës" është trillim qesharak edhe një skenar i parapërgatitur. Shqiptarët nuk e kanë harruar debatin për certifikatat me "një apo dy vula" që Partia Socialiste ngriti në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor në fund të vitit 2006".

Spahiu nënvizoi se shqiptarët e dinë mirë se është pikërisht opozita e majtë ajo që kërkoi përjashtimin e certifikatave si dokument identifikimi për zgjedhjet e vitit 2009", - kujtoi kryetari i PLL.

Kurse shtoi se shqiptarët janë të ndërgjegjshëm se kartat e identitetit kanë vlerë të përhershme dhe nuk janë të lidhura domosdoshmërisht vetëm me zgjedhjet e 28 qershorit.

Ndaj Spahiu vlerësoi se "Taksa e votës" është përralla e radhës që opozita e majtë u ofron shqiptarëve si alternativë të sajën për zgjedhjet e 28 qershorit.

"Ajo është shprehje e krizës së identitetit  të Partisë Socialiste dhe e panikut që ekziston në kampin e majtë për humbjen e tyre të sigurt në zgjedhjet e 28 qershorit. Përmes saj, Partia Socialiste kërkon të sabotojë procesin e pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti, ta zhvendosë debatin politik në fusha shterpë dhe të krijojë një alibi për disfatën e pritshme", - ka deklaruar Spahiu.

Kurse kujtoi edhe faktin sipas tij, se maxhoranca qeverisëse ka dhënë konsensus të plotë dhe ka plotësuar çdo kërkesë të opozitës për sistemin dhe kodin zgjedhor;

e.l/NOA

KOMENTE