English

Presidenti Topi apelon për blerjen nga qytetarët të letërnjoftimeve të reja

Tiranë, 19 prill NOA Update - Presidenti i Republikës, Bamir Topi i është përgjigjur interesimit të gazetarëve lidhur me qëndrimin e tij sa i përket procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime në raport dhe me zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të datës 28 qershor 2009.

Ky prononcim i Kryetarit të Shtetit erdhi në përfundim të veprimtarisë kulturore të organizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar me rastin e ditëlindjes së Profetit Muhamed, - deklaroi zyra për shtyp e Presidentit.

Në përgjigje të pyetjes nëse rrezikon që historia e çertifikatave të përsëritet me kartat e identitetit, duke rrezikuar zgjedhjet dhe procesin e integrimit dhe nëse ka vend për një ndërhyrje nga ana e Presidentit të Republikës, Topi tha se ka vend për angazhim, për preokupim, por nuk besonte që ka vend për pesimizëm.

"Unë jo vetëm me cilësinë e pozicionit që kam, por edhe në të kaluarën, kur kam qenë në një pozicion që më duhej të dialogoja, asnjëherë nuk hiqja dorë nga angazhimi i të gjithëve për të përmbyllur me sukses atë që konsiderohet më e rëndësishme për demokracinë shqiptare, zgjedhjet politike të 28 qershorit. Kështu që unë i bëj thirrje edhe një herë dhe nuk do ta teproj duke bërë këtë thirrje. Të dashur bashkëatdhetarë! Shkoni aplikoni! Aplikoni, sepse nuk është thjesht në funksion të zgjedhjeve, por për shumë, për shumë aksese që ju keni në administratë e mbi të gjitha për të respektuar vetveten. Secili duhet të identifikohet".

Më tej, Topi lëshoi edhe një thirrje për partitë politike: "Të gjithë duhet të sintonziohen në shqetësimin, të gjithë të kenë një zë, të gjithë t'u bëjnë thirrje përkrahësve të tyre, asaj pjese të popullsisë, që mund të jetë indiferente ndaj partive politike, t'u bëjnë thirrje që të shkojnë të aplikojnë dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë që zgjedhjet e 28 qershorit të jenë një ditë feste për Shqipërinë për demokracinë".

Kurse i pyetur lidhur me mundësinë për thirrjen nga President i Republikës të një tryeze të partive politike, Topi u përgjigj:Â "Unë mendoj që ende partitë politike, administrata duhet të gjejnë angazhimin dhe unë besoj që është angazhimi, për të ardhur pastaj padiskutim në një kohezion të të gjithë forcave politike".

e.l/NOA

KOMENTE