Tiranë 19 prill NOA - Presidenti Bamir Topi uroi sot të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë me rastin e Festës së Pashkëve.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi dërguar Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumtërisë së Tij, Anastasios Janullatos, u përcjell urimet më të ngrohta dhe të përzemërta në ditën e festimit të Pashkëve, të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë kudo ku ndodhen. "Ndihem pranë çdo besimtari e familjeje, që pret me mirësi dhe shpresë ditën kremtuese të ringjalljes së Krishtit, për t'ju përcjellë urimet më të përzemërta për paqe, harmoni e shpresë për të ardhmen" thuhej në urimin e presidentit Topi. "Në këtë ditë të ringjalljes së shpresës pas sakrificës, përjetojmë ngadhënjimin e përjetshëm mbi vdekjen dhe kemi rastin të lutemi për më shumë dashuri për njëri-tjetrin e për familjet tona, në kërkim të një dimensioni akoma më të lartë të tolerancës e të bashkëjetesës, në të mirë të Atdheut tonë e të qytetarëve të tij kudo ku ndodhen. Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët kudo ku ata jetojnë e punojnë" përfundon mesazhin e tij Presidenti Bamir Topi drejtuar besimtarëve ortodoksë shqiptarë.
k.k/NOA