English

Prostituonte për të huajt në Tiranë, kapet vajza dhe shfrytëzuesit e saj

Tiranë 19 prill NOA - Antitrafikët e Policisë së Tiranës çojnë në qeli një adoleshent dhe një taksist, pasi dyshohet se shfrytëzonin për prostitucion një vajzë 24-vjeçe.

Oficerët e seksionit të luftës kundër trafiqeve të policisë së kryeqytetit kanë organizuar pasditen e djeshme një operacion i cili u finalizua me arrestimin e 18-vjeçarit Marjo Manopulli dhe 37-vjeçarit Altin Dajçi, sepse dyshohen se në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë shfrytëzuar për qëllime prostitucioni një 24-vjeçare.

Sipas policisë Manopulli ka pasur rolin e sekserit ku bënte të mundur gjetjen e klientëve për vajzën e cila transportohej më pas drejt motelit nga i dyshuari tjetër taksist Altin Dajçi.

"Policia dyshon se klientë të ndryshëm kryenin pazaret nëpërmjet telefonit me adoleshentin i cili kishte rolin e ndërmjetësuesit, dhe për çdo klient që i siguronte vajzës ai merrte një shpërblim. Ndërsa edhe taksisti i cili transportonte të renë ku ndodhej klienti merrte një shpërblim" thënë për agjencinë NOA burime nga policia e kryeqytetit.

Sipas policisë vajza paguhej me 150 euro nata, dhe klientët ishin kryesisht të huaj.

Antitrafikët kishin siguruar informacione në rrugë operative për "aktivitetin" e 24-vjeçares, ndërsa kanë nisur hetimet për të identifikuar shfrytëzuesit e saj.

Në bazë të hetimeve disa mujore policia zbuloi dhe emrat e të dyshuarve të cilët mbikëqyrnin dhe siguronin klientët e vajzës.

Pas hetimeve policia organizoi pasditen e së shtunës një operacion i cili u finalizua me kapjen e tre personave.

Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se ndaj tre personave është ngrituar akuza e "shfrytëzimit të prostitucionit" në bashkëpunim dhe "ushtrimit të prostitucionit'

k.k/NOA

KOMENTE