English

Shfryhet arresti i bujshëm, gjykata çliron nga burgu të dyshuarit e doganave

Tiranë, 19 prill NOA - Gjykata e Rrethit të Tiranës ka lehtësuar dy prej të arrestuarve për targim të automjeteve të vjedhura jashtë vendit, duke shfryrë në këtë mënyrë, valën e bujshme të arresteve që kreu policia dhe prokuroria para pak ditësh.

Gjykatësi i gatshëm ka caktuar sot masën e sigurisë "arrest me burg me afat 15 ditor" për të pandehurit Olgert Isa, me detyrë Inxhinier pranues dokumentesh pranë Drejtorisë

Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë dhe Xhevdet Malin, me detyrë Agjent Doganor.

Për këta dy të pandehur gjykata i kërkoi prokurorisë që të kryente disa ekspertiza të nevojshme për hetimin.

Sipas burimeve nga gjykata Isa ka pranuar një rast, kur një person i ka paraqitur dokumentet për zhdoganim të automjetit, që sipas tij, më pas ia kishte kthyer sërish me urdhër të nëndrejtorit.

Po sot gjykata ka vlerësuar masat e sigurisë "arrest me burg" për Ylli Shqarrin, me detyrë Komisioner pranë Lejeve të Drejtimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë dhe Engjëll Dylgjeri, me detyrë Agjent Doganor, pranë Degës Doganore Tiranë.

Kurse për Frida Guxia, Sofokli Qose dhe Ilmi Krantja, të tre me detyrë Doganier pranë Degës Doganore, gjykata vendosi të konfirmojë masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje".

Të pandehurit akuzohen për zhdoganim dhe targim të automjeteve të vjedhura jashtë vendit kundrejt shumës që arrinte deri në 5 milionë lekë.

Hetimet ndaj tyre nisën në gusht të vitit të kaluar, pas dy denoncimeve të kryera në prokurorinë e Tiranës.

Këto dy denoncime si dhe përgjimet telefonike dhe ambientale janë provat që prokuroria disponon ndaj 7 personave të akuzuar.

e.l/NOA

KOMENTE