Tiranë, 19 prill NOA - "Në ditën e ringjalljes së Krishtit, le të ringjallet dhe ndërgjegjja e kryeministrit Berisha për të qenë më solidar me qytetarët e këtij vendi," ishte mesazhi që përcolli kreu i G99, Erion Veliaj gjatë një vizite në familjen e Anisa dhe Irisa Sheshit, dy vajza adoleshente të mbetura jetime nga humbja e të dy prindërve.
Anisa dhe Irisa megjithë përkrahjen maksimale nga strukturat e minibashkisë 2 dhe mbështetjen fisnike të punonjëseve sociale aty, kanë mundur të sigurojnë vet
ëm një pension prej 2700 lekë të vjetra që është krejtësisht i pamjaftueshëm për të përballuar nevojat më jetike.
Parlamenti i ardhshëm, -sipas Veliaj-, duhet të marri parasysh pikërisht rastet e Anisës dhe të gjitha Anisave të tjera në Shqipëri dhe të sigurojë fleksibilitetin e nevojshëm që historitë njerëzore mos të përballen me burokracitë e pashpirta dhe të evitohen situata të dhimbshme si kjo kur dy vajza të vetme braktisen me një pagesë qesharake. "Sot ne ndoshta po ndihmojmë në zgjidhjen afatshkurtër të një problemi të një rasti të vetëm por nesër në parlament do të mendojmë për një zgjidhje të qëndrueshme për të gjithë këto raste."
Anisa është një studente e shkëlqyer e gjuhës frënge dhe ka dëshirë të vazhdojë studimet e larta në po të njëjtën degë. Motra e saj e vogël, Irisa, studion ende në shkollën nëntëveçare dhe dëshiron që shkollën e mesme ta kryejë në profilin ekonomik. Të dyja vajzat janë në dilemë për fatin e studimeve të tyre për shkak të të ardhurave shumë të pakta. Â
Veliaj i shoqëruar nga aktivistë të tjerë të G99 sollën disa dhuarata dhe ndihma për festën e Pashkëve si dhe i dhuruan Anisës një kupon që të ketë mundësi të aplikojë për kartën e identitetit. Anisa vetë tregon se me një pension i cili nuk mbulon as faturat e dritave dhe të ujit nuk i shkonte në mendje të paguante dhe lekët për kartën e identitetit.
"Anisa është një votuese 18 vjeç dhe këtë vit ajo voton për herë të parë. Vetëm sepse Anisës apo dhe shumë të tjerëve nuk ju ka buzëqeshur fati në këtë kohë të jetës ata nuk duhet të privohen nga e drejta e votës. Kemi sjellë plot raste të njerëzve që nuk mund të përballojnë koston e taksës së votës. Por dhe sikur vetëm Anisa, një qytetar i vetëm të mos kishte mundësi të votonte ky nuk mund të quhej më një shtet demokratik. Bashkëaksionerët e Shqipërisë duhet të jenë të gjithë të rinjtë, sido që ta kenë mbiemrin, i kanë apo si kanë prindërit e tyre," - tha Veliaj.
Në bisedë me vajzat Veliaj ndau me to dhe historinë personale të humbjes së të atit dhe i inkurajoi të punojnë dhe mësojnë akoma më fort. Aktivistë të G99 u angazhuan që të jenë në kontakt të vazhdueshëm me të dyja vajzat për çfarëdolloj ndihme që ato të kenë nevojë. Â
e.l/NOA