Durrës, 20 prill, NOA - Kishte shkuar si çdo mëngjes në punë, por nuk e kishte parashikuar se kjo do të ishte dita e fundit e jetës së tij. Goditja e një pllake mermeri ka qenë fatale për punëtorin 44-vjeçar, i cili punonte për ndërtimin e një pallati në qytetin e Durrësit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një pallat në ndërtim, ku i ndjeri Fatmir Ymeri punonte si punëtor krahu.
Bëhet e ditur nga burimet paraprake në vendngjarje se punëtori ka mbetur i vdekur pasi është goditur nga një pllakë mermeri në punë e sipër.
Goditja ka qenë shumë e rëndë saqë ai nuk ka mundur t'u rezistojë plagëve të rënda që ajo i shkaktoi në kokë dhe shpatull. 44-vjeçari është dërguar urgjentisht në spitalin e qytetit të Durrësit, por fatkeqësisht nuk i ka shpëtuar dot vdekjes.
Ky nuk është rasti i parë që një punëtor humbet jetën gjatë procesit të punës, prandaj policia është duke hetuar mbi gjendjen e sigurisë së punimeve prej firmës së ndërtimit.
n.e/NOA