English

Bie rrufeja në Shkodër, gjen vdekjen 45-vjeçari te bregu i lumit Kir

Shkodër, 20 prill NOA - Një burrë ka gjetur vdekjen pasditen e sotme në Shkodër pasi rënia e rrufesë i mori jetën pranë lumit Kir.

Korrespondenti i agjencisë NOA informon se ngjarja është zbuluar sot në orën 15.57, në fshatin Bardhaj, Komuna Rrethina Shkodër, pikërisht në vendin e quajtur Ura e Bardhejve.

Ka qenë një kalimtar i rastit, që ka telefonuar policinë duke i sinjalizuar se ishte pranë një njeriu të shtrirë, te bregu i lumit Kir.

Menjëherë në vendngjarje shkuan forca policore, të cilat konstatuan se personi i gjetur në breg të lumit ishte i vdekur.

"Nga ana jonë është bërë i mundur identifikimi i të ndjerit, i cili rezulton të jetë Loro Ndoci, 45 vjeç, lindur në Mazrek, të Komunës Guri i Zi dhe banues në fshatin Bardhaj", - konfirmoi policia.

Nga veprimet hetimore të kryera dhe nga ekspertiza mjeko-ligjore, rezultoi se shkaku i vdekjes së 45-vjeçarit ka qenë si pasojë e shkarkimit të një rrufeje të rënë rreth orës 14.30, të ditës së sotme.

r.d/NOA

KOMENTE