Zagreb, 20 prill, NOA - Ministria kroate e Ekonomisë ka lëshuar një deklaratë zyrtare përmes së cilës mohon të gjithë zërat që po përfliten në Shqipëri mbi nënshkrimin e një marrëveshje për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër. "Qeveria kroate nuk ka lëshuar asnjë informacion për planifikimin e një marrëveshje të tillë", thuhet në këtë deklaratë.
Brenda radhëve të saj, mohohet edhe shifra e publikuar në mediat shqiptare se centrali do të kushtojë 4 miliardë euro duke e konsideruar atë si një spekulim mediatik që nuk mund të mbështetet nga asnjë njoftim zyrtar.
Ndërkaq, theksohet se nënshkrimi i marrëveshjes është i pamundur pasi projekte të këtij lloji kërkojnë vite të tëra negociatash dhe planifikimesh paraprake. Megjithatë në planin afatgjatë duket se Tirana dhe Zagrebi po shikojnë mundësinë e realizimit të një projekti të tillë, çka pranohet edhe nga vetë Ministria kroate e Ekonomisë.
n.e/NOA