Nga Shpëtim Zinxhirija
Athinë, 20 prill NOA - Është këmbëngulja e medias greke që ka detyruar më në fund drejtësinë vendase që të penalizojë kampin e turpit të shfrytëzimit të emigrantëve në zonën rurale të Amaliadas.
Është media greke që këtë radhë ka mbajtur një qëndrim të paanshëm por të drejtë për emigrantët, për trajtimin dhe mënyrën e indiferentizmit të politikës vendase.
Më në fund drejtësia vendase ka vendosur të gjykojë si të pandehur tetëdhjetë pronarë, prodhues të luleshtrydheve (fraulave) si dhe biznesmenë të serave të prodhimit, e të paketimit. Por bashkë me pronarët do të ulen në bankë për t'u gjykuar  edhe emigrantë klandestin për hyrje të paligjshme në Greqi.
Gazeta "Eleftherotipia" vjet kishte zbuluar kushtet në të cilën punonin dhe banonin në fushat e Manoladës emigrantët.
Fotografitë e botuara në gazetë ishin tronditëse dhe të pabesueshme për opinionin vendas, që jepnin pamjen e një kampi pune të kohës së nazizmit.
Këtë radhë në zyrën e prokurorisë janë dërguar 43 fotografi turpi nga puna dhe jeta e emigrantëve për ndjekje penale, duke proçeduar për gjykim tetëdhjetë njerëz për punësimin e paligjshëm të punëtorëve të huaj.
Gjithashtu kundrejt të "akuzuarve" rëndon midis të tjerave edhe mungesa e kushteve higjienike dhe shkelja e rregullave të higjienës.
Midis të akuzuarve do të jenë edhe pronarët prodhues të luleshtrydhes, të cilët kanë keqtrajtuar gazetare, aktiviste dhe doktorë që ishin në mbrojtje të emigrantëve.
Është hera e parë që drejtësia vendase merr një vendim të tillë përballë padrejtësive që u janë bërë Â emigrantëve.
sh.z/NOA